Kjo javë do të karakterizohet me mot të nxehtë veror. Megjithatë, i nxehti nuk do të jetë ekstrem, por tërësisht normal për periudhën kohore në të cilën jemi.
Masa ajrore të thata anticiklonike do të depërtojnë nga dita e nesërme në rajonin tonë duke kushtëzuar mot kryesisht të kthjellët dhe të thatë me zhvillime lokale të vranësirave (sot) por të cilat nuk pritet të sjellin reshje atmosferike. Gjithashtu do të kemi edhe ngritje graduale të temperaturave për arsye të shtrirjes graduale të masave të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore.
Pjesa e parë e javës do të jetë tërësisht stabile, kurse nga mesjava mund të kemi depërtime të disa masave ajrore të lagshta të cilat mund të shkaktojnë destabilizim të pjesshëm të motit. Priten rrebeshe të izoluara shiu vetëm në disa zona kryesisht kodrinore-malore të cilat do të freskojnë pak motin vetëm në ato rajone por nuk do të ndikojnë në uljen e përgjithshme të temperaturave.
Mot të nxehtë me zagushi dhe zhvillime lokale të vranësirave të rrebesheve pritet të kemi edhe në fundjavë. Bregdeti dhe viset tjera mesdhetare gjatë tërë javës do të jenë me mot kryesisht të kthjellët dhe të nxehtë. /Gazeta Sinjali