image Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin joformal në Tiranë, Zulfaj: S’ka inate, është koicidencë

Politikë

Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin joformal në Tiranë, Zulfaj: S’ka inate, është koicidencë

news image

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sikur ngjarja në Greqi të mos ishte konfirmuar më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të merrte pjesë në takimin joformal, i mbajtur në Tiranë.

“Në takimet e nivelit të lartë çfarë janë agjenda e kryeministrit do të duhej të kishte shumë më herët planifikim kurse Procesi i Berlinit apo kryesimi i Shqipërisë dihet që nga nëntori i vitit të kaluar, planifikimi i ngjarjeve sidomos të nivelit të lartë do të duhej të bëhej shumë më herët në mënyrë që të përgatitej edhe agjenda e kryeministrit. Nuk mendoj që ka inate në këtë drejtim kur është në pyetje agjenda shtetërore, por konfirmimi i një agjende të tillë në një proces të tillë do të duhej të bëhej shumë më herët”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se nuk ka të bëjë me hatërmbetje.

“Nuk është hatërmbetje, sepse kemi të bëjmë me një samit të nivelit të Ballkanit Perëndimor 6 me BE-në në kuadër të Procesit të Berlinit siç edhe e ka kryesimin Republika e Shqipërisë, në agjenda të tilla nuk ka aspak hatërmbetje por vetëm që ka koincidencë që agjenda e kryeministrit tashmë të jetë e konfirmuar shumë kohë më parë”, shtoi Zulfaj.

Zulfaj thotë se “nuk do t’i ndërlidhja ngjarjet, refuzimin e Kurtit për takim me Ramën në Prishtinë dhe mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin joformal të ftuar nga Rama, besoj që po të mos ishte kjo ngjarje e konfirmuar në Greqi sigurisht që kryeministri do të merrte pjesë”.

“Pjesëmarrja është e rëndësishme, dhe që jemi të koordinuar me Shqipërinë për mbajtjen e këtij samiti që do të mbahet në tetor. Jemi në përgatitje të samitit të Procesit të Berlinit, nuk ka të bëjë me mungesën e vullnetit dhe gatishmërisë dhe shtyrjes së procesit përpara por do të duhej të kishte shumë më shumë planifikim në këtë proces”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.

Teksa është pyetur për ftohje të raporteve midis kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministri Edi Rama, Zulfaj ka thënë se të njëjtat janë raporte zyrtare.

“Raportet janë raporte zyrtare dhe në cilësinë e kryeministrave të cilët në rastin e kryeministrit të Kosovës vazhdimisht i angazhuar proaktiv për të promovuar bashkëpunimin me Shqipërinë prandaj edhe ishte shumë e rëndësishme që të mbahej mbledhja e dy qeverive që të nënshkruheshin të gjitha marrëveshjet”, tha ai.

/GazetaSinjali/