Deputetja e Partisë së Lirisë në Shqipëri, Monika Kryemadhi, e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, lidhur me arrestimin e Hashim Thaçit.
Ajo ka thënë se është pikërisht Rama që e dërgoi Thaçin në burg.
“Të gjithë e dimë dhe jemi koshientë se si e mori në qafë ish-Presidentin e Kosovës, dhe shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së që sot dergjen burgjeve të Hagës dhe shkaktari që i vendosi ata atje është Edi Rama. Dhe ai do ta mbajë përgjegjësinë për këtë në histori”, tha Kryemadhi, raporton Ora News.
Deputetja e Partisë së Lirisë, në fjalën e saj në Kuvend u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk ka punuar për të rritur të ardhurat e qytetarëve shqiptarë, por për t’i grabitur ata.
Gjithashtu theksoi se kryeministri Rama ka përdorur McGonigal për të kërcënuar bizneset shqiptare!
“Ky ligj është vetëm për të vjedhur shqiptarët dhe për të paguar McGonigalët. Në fakt nëse ka institucion dhe ideologji që nuk i bëhet vonë për qytetarët është rilindja. Nëse do kishit interes për qytetarët do të kishin ndaluar inceneratorët. Po të donit të rrisnin fondet publike me paratë e qytetarëve nuk do të paguanit parkingjet e McGonigal”, tha Kryemadhi.