Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para pak minutash ka hyrë në objektin e Speciales në Hagë, ku do të intervistohet nga Prokurori i Specializuar.
Thaçi bashkë me bashkëpunëtorët e tij u kontrolluan në hyrje të objektit të Speciales nga policët. Ndërsa paraprakisht, në hyrje të oborrit, policët ia dhanë atij disa sqarime, raporton Gazeta Sinjali.
Para se të hynte për t’u intervistuar, Thaçi ka thënë se ky është çmimi që duhet ta paguante për lirinë, ndërsa tha se është i gatshëm të përballet dhe të ngadhënjejë në këtë sfidë. E teksa u nis për të hyrë brenda, disa protestues të mbledhur para Speciales brohoritën emrin e tij.
“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim. Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është storje suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”, ka thënë Thaçi para selisë së Speciales. /Gazeta Sinjali