Mbrëmjen e së premtes janë liruar nga grupi i Hamasit dy pengjet e para. Bëhet fjalë për dy shtetaset amerikane Raanan dhe vajza e saj Natalie, të cilat ishin në mesin e rreth 200 personave të rrëmbyer gjatë bastisjes vdekjeprurëse të Hamasit në Izrael.
Një video e shpërndarë nga Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, tregoi lirimin e dy pengjeve.
Punëtorët të veshur me uniforma të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) u panë duke shoqëruar pengjet e liruar.
Xhaxhai i Natalie, Avi Zamir, tha se familja ishte “jashtëzakonisht e gëzuar” dhe presidenti i SHBA Joe Biden tha se ishte shumë i lumtur për lirimin e tyre duke konfirmuar se kishte folur me Raanans në telefon.
Për rastin ka reaguar edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden i cili theksoi se është i gëzuar që së shpejti ata do të ribashkohen me familjen e tyre.
Biden tha se qytetarët amerikanë të mbajtur peng nga Hamasi që nga 7 tetori kishin duruar një sprovë të tmerrshme këto 14 ditët e fundit, duke shtuar se ata do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane derisa të shërohen.
Tutje ai falënderoi qeveritë e Katarit dhe Izraelit që kanë punuar së bashku për të bërë të mundur lirimin e tyre.
“Si president, nuk kam prioritet më të lartë se siguria e amerikanëve të mbajtur peng në mbarë botën”, tha Biden.