Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në aeroplanin “Boeing 737”, pak minuta pasi ishte shkëputur nga toka, i cili ishte nisur nga Houstoni i SHBA-së në Cancun.
Rreth 16 minuta pas ngjitjes, pasagjerët kishin filluar të dëgjonin zhurma të forta goditjesh që vinin nga motori i djathtë, i cili pak sekonda më pas u përfshi nga flakët.
Flakët e aeroplanit shkaktuan momente dramatike për pasagjerët, të cilët arritën ta filmonin momentin kur flaka kaplonte kohë pas kohe motorin e djathtë.
Menjëherë pas defektit të rrezikshëm, aeroplani u detyrua të kthehej në Aeroportin Houston Hobby, për t’i larguar pasagjerët nga ndonjë fatkeqësi.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, askush nuk u lëndua në incident, por pasagjerët kanë pësuar mjaft frikë, ndërsa Administrata Federale e Aviacionit ka njoftuar se po heton rastin.