image Molliqaj: Zhvatje milionëshe publike për interes të kapitalit privat

Politikë

Molliqaj: Zhvatje milionëshe publike për interes të kapitalit privat

news image

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka mbajtur konferencë për media lidhur me krizën energjetike dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Ai tha se kohëve të fundit ka pasur një “koalicion” ndërmjet Qeverisë me KEDS dhe KEK-un.

“Jemi dëshmitar që me thellimin e krizës energjetike në Kosovë kemi parë edhe thellimin e aleancës tashmë publike në mes të pushtetit dhe kompanive private KESCO dhe KEDS për të ruajtur profitin e këtyre dy të fundit. Kjo gjë duhet të na alarmoj sepse po na dëmton. Këto skandale nuk mund të kalojnë në heshtje. Prandaj, pakënaqësinë tonë na duhet ta shprehim në mënyrën e vetme që na ka mbetur; protestë. Me 29 janar”, ka thënë ai.


“Tashmë e kemi kuptuar që nga gjysma e shtatorit të vitit 2021, KEDS nuk e ka paguar rrymën e prodhuar nga kompania publike KEK. Po ashtu kuptuam që as rrymën e janarit, në vlerën e 10 milionë euro, që ka prodhuar KEK nuk është paguar nga KEDS. Pra, rryma e prodhuar në vlerë prej 61 milionë euro nga KEK nuk është paguar as edhe një cent nga KEDS; ndërkohë KEDS këtë rrymë na ka shitur neve”.

“Pra, fitim i KEDS-it mbi kurrizin e kompanisë publike KEK. Në të njëjtën kohë kuptuam që KESCO, e cila është kompani esencialisht përbrenda KEDS-it, i ka borxh kompanisë publike të transmisionit KOSTT në shumë prej 30 milionë eurosh. Në total, kompania private KEDS është mbi 90 milionë euro në borxh me kompanitë publike”, ka thënë Molliqaj, raporton EO.

Ai tutje tha se “Nëse mbledhim së bashku 44.5 milionë eurot të subvencionuara nga Qeveria e Kosovës, me 75 milionë euro të tjera për të cilat është zotuar Qeveria e Kosovës me aprovimin e raportit të ZRrE-së me dallimin në çmim që do ta paguajmë ne si qytetarë dhe borxhin që kompania ia ka kompanive publike KEK dhe KOSTT atëherë mund të themi që KESCO dhe KEDS i kanë kushtuar Kosovës, në mënyrë direkte dhe indirekte, mbi 200 milionë euro të cilat kanë shkuar për t’i mbuluar humbjet e tyre”.

“Asnjë penalizim nga institucionet për KESCO-n dhe KEDS-in e cila në mënyrë flagrante ka shkelur kontratën e saj të distribuimit të energjisë duke shkyçur rrymën me reduktime e pa paralajmërime, e shumë shpesh edhe më gjatë sesa që deklaronte. Ato në vend që të dënohen po shpërblehen; shumica po bart barrën e krizës mbi kurrizin e saj për hir të profitit të një pakice, e që janë dy kompani private”, përfundoi ai./GazetaSinjali/