Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të shkarkohet së shpejti nga kjo pozitë.
Molliqaj thotë se nuk beson se do të zbatohet paralajmërimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosova, për shkak të mosheqjes së plotë dhe pa kushte të taksës ndaj Serbisë.
Ai ka thënë se tërheqja e ushtarëve amerikanë nga Kosova nuk do të ndodhë, për shkak se Kurti do të largohet nga udhëheqja e qeverisë së vendit.
“Kurti do të shkarkohet, e them me bindje të thellë”, ka thënë ai në emisionin “Pressing”.
Gjatë ditës së djeshme senatori amerikan, David Perdue tha se nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shqyrtojnë praninë e trupave aty.
Këtë postim e ka shpërndarë edhe emisari special i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke konfirmuar se ky është edhe qëndrim zyrtar i SHBA-së si dhe djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr./Gazeta Sinjali/