Pas marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka kërkuar që të publikohet marrëveshja e plotë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka pranuar targat ilegale KM, si dhe sipas tij pas arritjes së kësaj marrëveshjeje do të formohet edhe më shpejt Asociacioni i Komunave Serbe.
“Kësaj Qeverie nuk i bëhet vonë ta dëmtojë Kosovën, halli është si të fshehet para publikut. Asgjë ndryshe nuk kemi pritur, por jo kaq shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Targat ilegale KM po pranohen! Publikojeni marrëveshjen! Janë dërguar njerëzit në veri. Për çfarë?! Për ta pranuar Qeveria pastaj se pjesa veriore trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e vendit. Ky është instrumentalizim i tmerrshëm, dhe avanturë e rrezikshme. Tash, logjika është ajo e ndarjes etnike e territoriale; rruga është trajtim i segmentuar – marrëveshje pas marrëveshjes; rezultati përfundimtar është Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Kësaj Qeverie nuk i bëhet vonë ta dëmtojë Kosovën, halli është si të fshehet para publikut. Asgjë ndryshe nuk kemi pritur, por jo kaq shpejt./Gazeta Sinjali/