Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka komentuar refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 11 maj, raporton Gazeta Sinjali.
Molliqaj thotë se Kurti nuk e ka refuzuar, por e ka shtyrë këtë takim, sipas tij, për arsye populiste.
“Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare. Kurti tashmë ka zbritur te simbolikat si zëvendësim për përmbajtjen. Ai dëshiron të duket, por jo edhe të jetë, ai që ishte“, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Kreu i PSD-së ka thënë se shtyrja e takimit është në funksion të imazhit prej një politikani të qëndresës, por që sipas tij, këtij imazhi i ka rrjedhur përmbajtja e nevojshme për rezistencë.
“Kurti tashmë është duke e përgatitur ekipin negociator, disa nga të cilët janë emra që i takojnë historikut të dialogut që Lëvizja e Kurtit e kundërshtoi nga fillimi. Ai tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut. Jo-jat e vogla vijnë pas pranimit të madh”, ka përfunduar./Gazeta Sinjali/