Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas publikimit të letërkëmbimeve mes Hashim Thaçit dhe ish-sekretarit të NATO-s, Andes Fogh Rasmussen në vitin 2013, nga kryeministri Albin Kurti.
Me këtë veprim, sipas Molliqaj, Kurti po luan rolin e gazetarit hulumtues, i cili publikon marrëveshje, por nuk merr veprime konkrete kundër tyre.
“Sot, në anën tjetër, kryeministri Kurti deklaroi neutralitetin e tij të plotë karshi një marrëveshjeje sekrete, njësoj siç deklaroi neutralitet karshi marrëveshjeve me Serbinë për hekurudhat dhe vijën ajrore. Albin Kurti ka marrë rolin e një gazetari hulumtues që publikon marrëveshje por nuk deklaron asnjë qëndrim nëse qeveria e tij është PRO apo KUNDËR këtyre marrëveshjeve. Qeveria Kurti, tashmë ka marrë rolin e qeverisë ANKUESE që akuzon tjerët për marrëveshje, kurse nuk guxon të ndërmarrë hapa për t’i kundërshtuar e anuluar ato ato”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Sipas letërkëmbimeve që u publikuan sot, Thaçi, aso kohe kryeministër, me ish-sekretari i NATO-s Rasmussen kishin bërë një “marrëveshje sekrete”, sipas së cilës KFOR merr të drejtën e vetos absolute për të gjitha misionet e FSK-së në veri të Kosovës, për afat të pacaktuar.
Andaj, Molliqaj ka thënë se Thaçi duhet të jap llogari para drejtësisë, pasi sipas tij, ai ka cënuar kushtetutshmërinë e Kosovës, si dhe kërkoi shkarkimin e tij nga pozita e presidentit. Gjithashtu, lideri i PSD-së kërkoi anulim të marrëveshjes në fjalë, pasi në të kundërtën, sipas tij, i bie që Kurti po i përdorë këto marrëveshje vetëm për shkarkimin e kundërshtarëve politikë.
“Kërkesa për shkarkim të Thaçit është e domosdoshme, por nëse kjo nuk rezulton edhe me anulim të marrëveshjes, atëherë po qartësohet që Kurti mund t’i përdorë marrëveshjet për të shkarkuar kundërshtarët politikë, por nuk ka synim t’i ndërrojë, anulojë apo përmirësojë ato. Po dëshmohet që lufta e Kurtit ka qenë luftë për ndërrim figurash, por jo për ndërrimin e projektit dhe modelit mbi të cilin është qeverisur Kosova”, ka përfunduar Molliqaj./Gazeta Sinjali/