image Molliqaj: As lejimi, as ndalimi i mbajtjes së referendumit nuk prodhon zgjidhje, urgjentisht duhet marrëveshje finale

Politikë

Molliqaj: As lejimi, as ndalimi i mbajtjes së referendumit nuk prodhon zgjidhje, urgjentisht duhet marrëveshje finale

news image

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se as lejimi e as ndalimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, nuk prodhon zgjidhje.

Sipas tij lejimi i mbajtjes së këtij referendumi cenon sovranitetin, por se edhe ndalimi.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, tha se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë nuk është risi e as shansë për dëshmimin e sovranitetit.

“Që ta themi hapur, pa bërë obstruksione, as lejimi, as ndalimi i mbajtjes së referendumit nuk prodhon zgjidhje. Një qasje e tillë vetëm sa garanton përsëritje. Lejimi i referendimit cenon sovranitetin, por në rrethanën e shtresëzuar, sidomos në veri, as ndalimi nuk paraqet diçka më tepër se një gjest politik për konsum. Këto veprime do të lexoheshin krejt ndryshe nën dritën e një projekti politik që e vendosë zgjidhjen politike në qendër të angazhimit. Që çel mundësi për marrëdhënie të reja dhe të drejta mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Kryetari i PSD-së theksoi se një marrëveshje finale mes shteteve është urgjente.

“Një marrëveshje përfundimtare është urgjente. Marrëveshja përfundimtare do ta prodhonte edhe një efekt i cili pamundëson forcimin e liderëve politik përmes projektimit të rreziqeve të jashtme. Vonesa e zgjidhjes po i mbanë vendet të ngulfatura”, ka shkruar ai.

Mes tjerash ai ka shkruar se “Qytetarët, andej e këtej kufirit, kanë nevojë për rezultate që prekin jetën e përditshme në kuptimin e mirëqenies dhe marrëdhënieve mes popujve. Barazia duhet të jetë ajo që kornizon marrëveshjen përfundimtare. Barrikadimi nuk është zgjidhje. Përkundrazi. Në kontekstin aktual politik, në dy vendet, vetëm sa ushqen imazhet e liderëve autoritar. Efektet dhe tensionet e krijuara janë material për keqpërdorim”./GazetaSinjali/