Mjeku infektolog Pëllumb Pipero, tha se disa prej studimeve të fundit tregojnë se koronavirusi dëmton edhe qelizat e trurit, veçse ende nuk dihet nëse ai dëmtim i trurit do të zgjasë.
Ai u shpreh se sipas një studimi të ri, koronavirusi nuk po sillet si virus respirator dhe i pari që dëmtohet është truri. Pipero tregoi se deri tani kanë hasur dëmtim të qelizave të trurit nga koronavirusi në tre pacientë.
“Ne në fillim mendonim se ishte virus respirator dhe dëmton vetëm pulmoret. Shumë shpejt u dëshmua që ky virus jep dëmtime sistemike në organizëm, jep dëmtime të vatrave të vogla të gjakut, jep koauglimin e gjakut, jep koagola në të gjithë trupin, mund të japë infarkt të trurit, të zemrës, dëmtim të veshkave dhe mëlçisë. Madje ka studime që thonë se dëmtimi i veshkave është i pariparueshëm, i parikthyeshëm. Jep dëmtim sistemik. Ka shumë studime që thonë nuk dëmtohet i pari pulmoni, nuk dëmtohet e para zemra, veshka por dëmtohet i pari truri. Ne kemi pasur raste të kësaj natyre, sjell konfuzion mendor, të folura përçart, përgjumje dhe kemi konkluduar se kemi të bëjmë me dëmtim të qelizës së trurit. Kemi pasur të paktën 3 raste të tilla, por fatmirësisht kanë qenë dhe janë të rikthyeshme”, u shpreh Pipero në “News24”.
Ai më tutje theksoi se për ta ditur sigurt nëse virusi lë gjurmë në tru duhet të pritet për 18 apo 24 muaj.
“Megjithatë ka konstatime që mund të mbeten për një kohë të gjatë. Ende nuk ka studime që tregojnë ngelet apo jo i dëmtuar, ende nuk e dimë nëse lë apo jo imunitet sepse duhet të kalojnë 18-24 muaj që të arrijmë në konkluzione domethënë”, tha Pipero./ Gazeta Sinjali/