image Mjeku që dyshohet se i vendosi pacientit bateri e stenta pa nevojë, vazhdon punën në Spitalin Amerikan

Kosovë

Skandali/ Mjeku që dyshohet se i vendosi pacientit bateri e stenta pa nevojë, vazhdon punën në Spitalin Amerikan

news image

Mjeku Sasho Josimovski, i cili dyshohet se i vendosi pacientit kosovar një bateri dhe dy stenta pa nevojë, po vazhdon punën në Spitalin Amerikan në Kosovë.

Konziliumi i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive të QKUK-së, në fund të muajit tetor, kishte denoncuar kardiologun maqedonas për thyerje të parimeve etike dhe profesionale, pasi me kërkesë të një kompanie sigurimi, kishte realizuar një ekspertizë për arsyeshmërinë e procedurës invazive te pacienti SH.S.

Përkundër këtyre dyshimeve serioze të ngritura në publik dhe faktit se Sasho Josimovski edhe më herët kishte qenë i dënuar në Maqedoni për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ai vazhdon të pres palë në Spitalin Amerikan në Prishtinë sikurse të mos kishte ndodhur asgjë.

Lajmin për vazhdimin e angazhimit të tij e ka konfirmuar nëpunësja e këtij instituconi privat shëndetësor e cila është lajmëruar në numrin e telefonit që gjendet në ueb faqen e këtij spitali.

Lidhur me dyshimet e pretenduara ndaj mjekut Josimovski, Këshilli Etik i Odës së Mjekëve më 1 Tetor, ka nisur hetim. Por, kjo çështje duket se nuk po shkon me dinamikën e duhur dhe ka mbetur peng i procedurave.

Përkundër se kanë kaluar gati tri javë nga fillimi i hetimit, materiali i plotë shkresor për hetim, nga QKUK deri tek Oda e Mjekëve ka arritur tek dje dhe atë vetëm pas interesimit të Gazetës Sinjali lidhur me ecurinë e këtij hetimi.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu thotë se çështja është në fazën e shqyrtimit paraprak. 

“Paralelisht me Inspektoratin Shëndetësor, por me procedurë të pavarur, Këshilli Etik ka bërë analizën lidhur me përmbajtjen e lëndës në kuptim shkresor dhe për këtë ka kërkuar nga parashtruesi i ankesës që Këshillit Etik t’i ofrojë të gjitha dokumente plotësuese dhe dëshmi të tjera që do të shërbenin në fazat e mëtutjeshme të procedurës për të vërtetuar gjendjen objektive të çështjes. Dokumentacioni shtesë i cili është kërkuar, ka arritur tek ne më datë 18.11.2019.”, ka theksuar Sejdiu për Gazetën Sinjali.

Kryetari i Odës së Mjekëve ka njoftuar se po dje ka miratuar edhe kërkesën e Këshillit Etik për kryerjen e ekspertizës së pavarur jashtë vendit ndaj rastit të pacientit që dyshohet se i janë vendosur një bateri dhe dy stenta pa nevojë nga mjeku i Spitalit Amerikan në Kosovë.

“Për organet e Odës, relevancë ka ekspertiza e pavarur e cila do t’i vërtetonte gjendjen faktike. Në këtë drejtim, Këshilli Etik në takimin e fundit ka marr qëndrim që dokumentacioni, CD e koronorografisë dhe tjera dokumentacione të ekzaminimeve mjekësore, të përcillen për ekspertizë të pavarur profesionale dhe duke u bazuar në ndjeshmërinë dhe komunitetin e vogël të kardiologëve në Kosovë, gjithnjë duke i ikur konfliktit të mundshëm të interesit, kjo ekspertizë të kryhet jashtë Kosovës dhe mundësisht nga dy apo tre specialist të fushës.”, ka theksuar kreu i Odës së Mjekëve. 

Sejdiu shton se dokumentacioni do të dërgohet gjatë ditëve në vijim pasi ta marrin konfirmimin nga ekspertët. Ai nuk bëri të ditur se në cilin shtet do të dërgohet lënda dhe cili institucion do ta bëjë ekspertizën lidhur me ndriçimin e këtij rasti.

“Se ku dhe kush e kanë bërë ekspertizën, do të jenë publike vetëm pasi Këshilli Etik të marr vendimin për sanksionet e mundshme bazuar në rezultatet e ekspertizave. Kjo mënyrë shërben në qetësinë e hetimeve. Por, Këshilli Etik do marr me siguri vendim plotësisht të drejtë dhe të paanshëm, si ne shumë raste të ndjeshme deri tani”, ka thënë ai

Derisa edhe pas tri javësh rasti është ende në fazën e shqyrtimit paraprak dhe kjo çështje mbetet peng i procedurave të cilat po zvarriten, mjeku maqedonas i denoncuar për shkelje etike dhe profesionale nga një organizem serioz kolegjial i QKUK-së, vazhdon të eksperimentojë me pacientët kosovarë në Spitalin Amerikan në Prishtinë, pa u pezulluar veprimtaria e tij mjekësore deri në përmbyllje të hetimit.

Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët ekskluzivisht se si mjeku maqedonas, Sasho Josimovski, ka pasur një të kaluar kriminale në Maqedoni. Ai ka qenë i dënuar me dy vjet e gjysmë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kuadër të një organizimi të përbashkët kriminal të njohur si rasti “Metastaza”./Gazeta Sinjali/