image Mjeku dyshohet se ia theu hundën kolegut të tij, Sinjali sjellë detaje ekskluzive nga përleshja në QKTGJ

Ekskluzive

Mjeku dyshohet se ia theu hundën kolegut të tij, Sinjali sjellë detaje ekskluzive nga përleshja në QKTGJ

news image

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë dje u kthye në ring boksi. Për motive ende të panjohura, dy mjekët Betim Morina dhe Idriz Merovci, janë përfshirë në një konflikt verbal, i cili më pas eskaloi në sulm fizik. Lidhur me rastin është arrestuar Morina, i cili dyshohet se i shkaktoi lëndime të rënda trupore kolegut të tij, Idriz Merovcit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive lidhur me rastin, ku Merovci u dërgua me urgjencë për tretman mjekësor. Pas ekzaminimeve të mjekëve, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se është konstatuar që mjeku 47-vjeçar ka pësuar frakturë në hundë pas goditjeve të Morinës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë edhe dëshminë e drejtoreshës së QKTGJ-së, Bukurije Zhubi, e cila u intervistua në cilësinë e dëshmitares.

Sinjali ka kontaktuar Zhubin për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo e njëjta ka pohuar se ndodhet në një takim, teksa më vonë nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

Ndërkohë Morina është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.

Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/