Gazeta Sinjali gjatë ditës së sotme raportoi ekskluzivisht për një përleshje fizike që ka ndodhur në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku dy mjekët, Betim Morina dhe Idriz Merovci, dyshohet se janë rrahur mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ndaj Morinës tashmë është shqiptuar masa e ndalimit policor dhe ai është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson se vepra që rëndon mbi Morinën është ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
E gjithë situata dyshohet të ketë dalë nga kontrolli, aq sa përpos mosmarrëveshjes verbale, mes tyre janë shkepur edhe grushte.
Në rast është dashur të intervenojnë edhe njësitë policore, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë detaje për veprimet hetimore dhe masat ndaj dy personave të përfshirë, por ata kanë pohuar se nuk kanë informacione.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.