Mjeku britanik Dr Chris Steele në emisionin “This Morning” është lidhur nëpërmjet video-thirrjes dhe ka biseduar lidhur me temën e ushqimit dhe sistemit të imunitetit.
Dr Chris ka shpjeguar që nëpërmjet ndryshimit të ushqimit mund të forcojmë imunitetin tonë dhe të rrisim shanset në luftën kundër koronavirusit, raporton Mirror.
Jogurti, fasulja dhe bananet janë tre artikujt kryesorë të cilët duhet t’i konsumojmë, thekson mjeku.
Ky ekspert ka shpjeguar që zorrët janë të rëndësishme për imunitet – rreth 70 për qind të qelizave tona të imunitetit gjenden në traktin gastrointestinal.
“Sistemi juaj i imunitetit ju mbron nga viruset dhe bakteret. Ju këshilloj që të shtoni konsumimin e probiotikëve, përkatësisht jogurtit (për të rritur sasinë e baktereve të mira)”, tha ai.
“Nëse shikoni etiketën që ka të bëjë me vlerat nutritive të artikullit dhe përbërësve në jogurt, mund të shihni disa emra të gjatë, ata janë emra të baktereve të cilat gjenden brenda”, thekson mjeku.
Për të shtuar numrin e baktereve të mira dhe për të përtërirë organizmin tuaj, Dr Chris këshillon të hani fasule, sepse ky artikull gjithashtu është i pasur me probiotikë.
“Rekomandoj të hani cilindo lloj fasuleje, por edhe banane. Ato janë të mira, mënyra të thjeshta dhe të lira që të forconi imunitetin tuaj”, thekson mjeku.
Gjithashtu, ai u ka rekomanduar njerëzve që gjatë kësaj periudhe të shtojnë marrjen e vitaminës D, sepse është shumë e rëndësishme për shëndetin dhe për funksionimin e drejtë të organizmit të njeriut.
“Natyrisht që këto gjëra nuk mund të pengojnë që të infektoheni me koronavirus, mirëpo janë mënyra të mira që të forconi sistemin e imunitetit”, ka përfunduar ai.