Në Komisionin për menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot kanë dëshmuar Hidajete Pireva, mjeke e QKMF-së në Fushë-Kosovë dhe infermierja, Vlora Maholli.
Ato kanë dëshmuar para komisionit parlamentar lidhur me vdekjen e dyshimtë të të riut nga Gjilani, Agon Musliu.
Pireva dhe Maholli në ditën kur kishte arritur në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” kanë qenë pjesë e ekipit mjekësor që i kanë kontrolluar udhëtarët që kanë ardhur nga Gjermania.
Pireva tha se në ditën kur ka arritur Agon Musliu në aeroport kanë qenë dy ekipe mjekësore për shkak se ka pasur më shumë udhëtarë.
“Drejtori na i ka dhënë rekomandimet e MSH-së. Sipas rekomandimeve të ministrisë njerëzit me sëmundje kronike apo të lindura me dokumentacion, fëmijët 18-vjeç pa përcjellje të prindërve është dashur të shkohet në vetizolim, të moshuarit dhe pjesëtarë të FSK-se, Policisë së Kosovës, dhe askush nuk është liruar pa pasur dokument se ka probleme shëndetësore”, tha ajo.
Kurse infermierja, Vlora Maholli tha se Agon Musliu kishte pasur kontaktin e parë me të dhe se, sipas saj, gjendja e tij ka qenë shumë e mirë dhe nuk është vërejtur ndonjë shqetësim.
Maholli tha se Musliu ka kërkuar që mos të shkojë më në karantinë pasi që nënën e ka vetëm dhe për të kujdesej vetëm një kushëri.
Maholli tha se Agon Musliu nuk iu ka ofruar asnjë dokument që vërteton se ai ka ndonjë sëmundje. Edhe mjekja por edhe infermierja kanë thënë se Agon Musliu asnjëherë nuk e ka përmendur babain e tij. /Gazeta Sinjali/