Invalidi i aksidentuar pasdite në Prishtinë derisa ishte duke lëvizur me karrocën e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore, kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali, mjekët e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ata kanë bërë të ditur personi me aftësi të kufizuara ka pësuar thyerje të kockave dhe pas trajtimit në Emergjencë i është nënshtruar një operacioni kirurgjik.
“Ka hyrë në sallën e operacionit në Klinikën e Ortpedisë. I ka disa thyerje kockash dhe dhendja e tij shëndetësore është e rëndë”, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, mjeku kujdestar Naser Syla.
Aksidenti ndodhi sot rreth orës 17:00 në rrugën “Mon Balaj” të lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë mes një veture dhe karrocës së drejtuar nga një person me aftësi të kufizuara.
I lënduari menjëherë ishte dërguar për trajtim mjekësor në emergjencë ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka bërë të ditur se vozitësi i veturës është ndaluar për intervistim nga policia.
Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë aksident me pamje nga vendi i ngjarjes, dërguar nga sinjalizuesit. /Gazeta Sinjali/