Në spitalin Oglio Po në Itali, 25 nga 90 mjekë janë të infektuar me koronavirus, duke e rritur tendosjen me të cilën përballet një sistem shëndetësor i mposhtur nga shpërthimi i dytë më i madh në botë.
Nëse ua shton infermierët, teknikët dhe punonjësit e tjerë, një e pesta e personelit të spitalit ka dalë pozitiv në testet për koronavirus, tha drejtoresha e spitalit Daniela Ferrari.
Sipas Reuters, ata dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor si ata pothuajse pa dyshim përhapin virusin përpara se të kenë nevojë për trajtim ose karantinë vetë, thonë studiuesit dhe sindikatat.
“Ne jemi në fund të fuqisë sonë”, tha doktor Romano Paolucci, i cili doli nga pensioni për të ndihmuar spitalin Oglio Po pranë Kremones, një nga qytetet më të goditura në rajonin e Lombardisë.
“Ne nuk kemi burime të mjaftueshme dhe veçanërisht staf sepse përveç gjithçka tjetër, tani stafi ka filluar të sëmuret”.
Në Lombardi, rajoni italian me numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve, të paktën dy spitale u bënë hapësira të kontaminimit, me pacientë që infektonin stafin mjekësor që më pas përhapnin sëmundjen ndërsa udhëtonin nëpër komunitetet e tyre, përpara se të vendosej një bllokim i rreptë.
Ky është një faktor që ka ndihmuar që virusi të përhapet kaq shpejt, tha Giuseppe Remuzzi, drejtor i Institutit Mario Negri për Kërkime Farmakologjike.
“Pacientët infektuan pacientë dhe mjekë të tjerë, të cilët më pas dolën jashtë dhe kontaminuan të tjerët”, tha Remuzzi.
Në nivel kombëtar, 4.268 punëtorë shëndetësorë – ose 0.4 për qind e totalit – kishin kontraktuar virusin që nga 20 marsi, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit.
Drejtuesi i shoqatës lokale të mjekëve të përgjithshëm, Guido Marinoni tha se për dy javët e para pasi sëmundja u zbulua për herë të parë në veri të Italisë më 21 shkurt, mjekëve iu munguan maska dhe doreza dhe kështu u kontaminuan lehtësisht nga kollitja dhe pacientët me ethe që shkuan t’i shohin pa e ditur se kishin koronavirus.
“Nëse një person me sëmundje kontaminon mesatarisht dy persona të tjerë, një mjek që lëviz rreth komunitetit mund të kontaminojë të paktën 10 persona të tjerë dhe kjo përhap ngjitjen në një mënyrë eksponenciale”, tregon Marinoni.
“Është si të shkosh në luftë me një armë lodër. Shpresoj që pjesa tjetër e Evropës të mësojë nga gjërat e mira që bëri Italia, por edhe nga gabimet tona”, përfundon ai./Gazeta Sinjali/