Mjekët amerikanë kanë zbuluar që nëse të sëmurët nga koronavirusi qëndrojnë të shtrirë në bark, kjo mund të shpëtojë jetën e tyre, duke shtuar se në këtë mënyrë, rritet sasia e oksigjenit në mushkëritë e pacientëve.
“Kështu shpëtojmë jetë, 100 përqind. “Është kaq e thjeshtë për t’u bërë, ndërsa kemi parë një përmirësim të jashtëzakonshëm te pacientët”, thotë Dr. Mangala Narasimhan, drejtor i shërbimit të kujdesit intensiv në rrjetin e kujdesit shëndetësor “Northwell Health”, i cili zotëron 23 spitale në New York.
Siç raporton CNN, pacientët e infektuar me koronavirus shpesh vdesin nga Sindroma Akute e Distresit Respirator (ARDS), e cila shfaqet për shkak të dëmtimit të parenkimës së mushkërive.
Nga e njëjta sindromë vdesin njerëzit me grip, pneumoni dhe sëmundje të tjera.
Shtatë vjet më parë, mjekët francezë publikuan një artikull në revistën New England Journal of Medicine, ku tregonin se pacientët me sëmundje respiratore që ishin në ventilator, kishin më pak gjasa të vdisnin nëse shtriheshin barkas.
Që atëherë, mjekët në SHBA, janë duke i kthyer në pozicion të shtrirë barkas pacientët të lidhur me respirator.
CNN deklaron se mjekët amerikanë kështu kanë vepruar me një pacient në Spitalin Hebraik, Long Island, ndërkohë që niveli i ngopjes së gjakut me oksigjen që depërtonte në mushkëritë e tij ishte rritur nga 85 në 98 përqind.
Mjekët po zbulojnë se shtrirja e pacientëve me gjendje të rënduar nga koronavirusi në stomak ndihmon në rritjen e sasisë së oksigjenit që depërton në mushkëritë e tyre.
Pacientët e rënduar zakonisht qëndrojnë kështu të shtrirë për rreth 16 orë në ditë, ndërsa pjesën tjetër e kalojnë në shpinë, në mënyrë që mjekët të kenë qasje më të mirë në pjesën e përparme të trupit të tyre dhe kështu, më lehtë ua japin ilaçet e duhura.
Megjithatë, pacientët që trajtohen me ventilim, kërkojnë më shumë qetësues kur janë në stomak dhe qëndrim më të gjatë në njësinë e kujdesit intensiv.