Një grua e moshuar në fshatin Suhodoll të komunës së Mitrovicës, dyshohet se është sulmuar fizikisht nga djali i saj dhe bashkëshortja e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur pasditen e sotme, ku bashkëshortja e djalit të saj i kishte dalë përpara në oborrin e shtëpisë ku banon e moshuara dhe e kishte kapur për fyti atë.
Në konflikt u përfshi edhe djali i 69-vjeçares i cili nuk i doli në ndihmë nënës së tij, por e shtyu dhe e rrëzoi në tokë. Si pasojë e dhunës, e moshuara ka marrë lëndime trupore, për çka është dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Ajo rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë shoqëruar dy të dyshuarit në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se motivi që shtyu deri te rrahja, është se e dyshuara 44-vjeçare ka kuptuar se vjehrra e saj, pra 69-vjeçarja, ka komentuar pamjen e jashtme të të fejuarës së nipit të saj, respektivisht djalit të të dyshuarës.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’