Gjatëmbëdhjetë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën pavarësinë e Kosovës, të cilën e mbështetën deri në shpallje e edhe pas saj.
Njohja më e rëndësishme Kosovës i erdhi nga SHBA-ja dhe për këtë presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush njoftonte nga Tanzania, ku kishte shkuar për një takim me presidentin e atij vendi, Jakaya Kikwete.
“Miremengjesi. Të dielën populli i Kosovës e shpalli pavarësinë e tij. Ata kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara njohje diplomatike dhe dje Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur”, deklaronte Bush.
Para gazetarëve, ai tha se Kosova e saposhpallur e pavarur do të përkushtohej ndaj standardeve më të larta të lirisë dhe do të njihet plotësisht nga SHBA-ja.
“Në shpalljen e saj të pavarësisë Kosova iu përkushtua standardeve më të larta të demokracisë, duke përfshirë lirinë dhe tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika kërkon te një mik dhe së shpejti do të vendosim marrëdhënie të plota diplomatike me shtetin e ri të Kosovës”, shprehej presidenti amerikan.
Bush e quante pavarësinë e Kosovës “një hap historik për rajonin e Ballkanit” dhe “mundësi për të lëvizur përtej konflikteve të së kaluarës dhe drejt një të ardhme lirie, stabiliteti dhe paqeje”.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u ofruar të gjitha kombeve të këtij rajoni perspektivën e integrimit në strukturën politike, ekonomike dhe të sigurisë të komunitetit euroatlantik. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit e Ballkanit do të mund të shohin premtimin e një jete më të mirë për veten dhe për fëmijët e tyre”.
I pyetur nëse kjo ishte “goditje në sy” ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, Bush përgjigjej se “historia do të dëshmojë se kjo është një lëvizje esatë për të sjellë paqen në Ballkan”.
“Kjo strategji ka ardhur prej kohësh. Dje, për shembull, ne kishim një — përpunuam me aleatët tanë europianë renditjen e tij, për t’u siguruar që kishte një zë të bashkërenduar dhe të vazhdueshëm që e mbështeste këtë lëvizje. Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë lëvizje sepse besojmë se do të sjellë paqe. Dhe tani na takon të gjithëve që të punojmë së bashku për t’i ndihmuar kosovarët ta kuptojnë atë paqe. Dhe është e rëndësishme për ne t’i kujtojmë Kosovës — gjë që sapo e bëra — se ata duhet të respektojnë zotimet e tyre për të mbështetur të drejtat e joshqiptarëve, të drejtat e jokosovarëve brenda vendit”, shprehej Bush.
Ai përsëristje se Kosova e pavarur ishte “strategji e planifikuar mirë”. Kjo, thoshte Bush, “nuk duhet të jetë surprizë për askënd”. Dhe siç shprehej presidenti amerikan, “kjo nuk ishte surprizë për Rusinë”.