Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 euro për përfituesit e skemave sociale, pensionistëve, studentëve dhe punëtorëve në sektorin publik e privat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këto shtesa janë para të qytetarëve që po u kthehen kur ata kanë nevojë dhe nga ky vendim do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.
“Ne mund të jemi qeveria e parë e Kosovës që po bëjmë një rishpërndarje të tillë të parave në kohën kur qytetarët kanë nevojë. Ndoshta edhe mund të jemi prej vendeve të rralla që po veprojmë kështu. Këto janë para të qytetarëve që ne po ua kthejmë kur ata kanë nevojë.
“Asnjëri nga ne të kabinetit qeveritar nuk do të përfitojë nga shtesat prej 100 euro”, shtoi Kurti.
Ndryshe, sipas vendimit të Qeverisë, ata që përfitojnë nga skemat sociale, punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe studentët do të marrin nga 100 euro shtesë.
Pensionistët këtë shtesë do ta marrin qysh në muajin prill, ndërsa për kategoritë tjera do të duhet pak më shumë kohë, siç ka thënë në konferencën e sotme për shtyp ministri i Financave, Hekuran Murati.