Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) ka miratuar të shtunën një autorizim emergjent për përdorimin e koktejit të antitrupave të Regeneron si trajtim për pacientët e infektuar me COVID-19.
Presidenti aktual amerikan, Donald Trump e kishte marrë terapinë e quajtur REGEN-COV2, kur u shtrua në spital pas infektimit me koronavirus.
Trajtimi duhet të futet në qarkullimin e gjakut dhe ka për qëllim të imitojë një përgjigjje imune ndaj infeksionit.
“Kokteji uli numrin e shtrimeve në spital për Covid-19 tek disa pacientë brenda 28 ditëve të trajtimit“, tha FDA në një njoftim për shtyp.
Shefi ekzekutiv i Regeneron, Dr. Leonard S. Schleifer, tha po ashtu se kërkesa fillimisht mund të tejkalojë furnizimin, duke e bërë edhe më kritike që qeveritë federale dhe shtetërore të sigurojnë që REGEN-COV2 të shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për pacientët më në nevojë.
“Kur përdoret për të trajtuar Covid-19 për popullatën e autorizuar, përfitimet e njohura dhe të mundshme të këtyre antitrupave tejkalojnë rreziqet e njohura dhe të mundshme”, tha FDA./Gazeta Sinjali/