image Miratohet në parim Projektligji për Qeverinë

Politikë

Miratohet në parim Projektligji për Qeverinë

news image

Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim Projektligji për Qeverinë.

Pozitë e opozitë e kanë përkrahur këtë projektligj, mirëpo partitë që nuk janë në pushtet kanë deklaruar se do të duhet të ndërhyjnë në disa pika për lexim të dytë.

Kryeministri Albin Kurti tha se Ligji për Qeverinë, të duhej të parashihte edhe numrin e ministrive dhe normativën e përcaktuar në këtë aspekt, raporton KP.

“Nevoja për një projektligj të këtillë nuk do sqarim. Megjithatë, sot për herë të parë prezantohet projektligji për qeverinë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Deri më tani, puna e qeverisë ishte e rregulluar me akte nënligjore duke lejuar kësisoj hapësirë për intervenime më të lehta në funksionimin dhe përgjegjësinë e qeverisë. Përshtatshmëria e aktit me kërkesë të qeverisë tani më zëvendësohet me përshtatjen e punës së kabinetit qeveritar ndaj normave ligjore, të cilat parashohin mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë”, tha ai.

Më tej, Kurti tha se ky projektligj është në pajtim me opinionin e Komisionit të Venedikut.

Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Doarsa Kica-Xhelili ka paraqitur rekomandimin e këtij komisioni për këtë projektligj.

“Komisioni Funksional ka shqyrtuar projektligjin në parim, para leximit të parë në mbledhje plenare dhe kuvendit ia paraqet raportin me rekomandimin për miratim në parim. Komisioni pas shqyrtimit në parim të këtij projektligji, vlerësoi se i njëjti plotëson kushtet e parapara sipas nenit 54 të rregullores së Kuvendit dhe i rekomandon Kuvendit miratimin e tij në parim”, ka thënë ajo.

Edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje deputetja Kica-Xhelili theksoi se ka një nen në Kushtetutë, i cili përcakton kompetencën e mandatarit se sa ministri duhet të jenë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se në disa çështje ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën. Ai theksoi se do ta përkrahin në parim, por që do të ndërhyjnë në lexim të dytë.

“Rregullimi me anë të ligjit mendoj që është goxha i dëmshëm dhe në parim, këtu më kanë dhënë të drejtë edhe Komisioni i Venecias ku në opinionin e tyre thonë edhe ata që përcaktimi i numrit të ministrive nuk duhet të jetë me ligj. Dhe shumë mirë që nuk është përfshirë në ligj. Çështje tjetër mendoj që ka dalë pak edhe përtej Kushtetutës. Me aq sa pash, ku thotë se në momentin kur zëvendësministri, në rast se shkarkohet ministri, ka të drejtë vote, mendoj që këtu me ligj nuk mundesh t’ia japësh zëvendësministrit. Për shkak se Kushtetuta jonë nuk e njeh si kategori, ushtrues të detyrës së ministrit”, ka deklaruar Tahiri.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se ka vend për intervenim në këtë projektligj. Sipas tij, duhet të përcaktohet se sa duhet të jetë numri i ministrive dhe të përcaktohen kompetencat e një qeverie në detyrë.

“Në parim e përkrahim si grup parlamentar, por besoj që këto dy çështje do të mund t’i adresojmë nga leximi i parë në leximin e dytë dhe për këtë është mirë që ta kemi edhe përkrahjen e qeverisë”, ka shtuar ai.

Edhe shefi i GP të Aleancës për Ardhmërinë, Besnik Tahiri tha se e përkrahin në parim këtë projektligj.

“Funksionimi i qeverisë gjatë gjithë kohës prej kur është formuar qeveria e parë është rregulluar me rregullore të UNMIK-ut. Ne kemi ligj për gjithçka dhe nuk kemi pasur dhe nuk kemi ligj për qeveri”, ka deklaruar Tahiri.

Pas më shumë se tetë orëve, deputetët kanë formuar edhe komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë.

Përbërja e këtij komisioni është: kryetare e komisionit Time Kadriaj, zëvendëskryetare e parë Jeta Statovci, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, Fitore Pacolli, Shqipe Selimi, Doarsa Kica-Xhelili, Isak Shabani, Eliza Hoxha, Agim Veliu dhe Bahrim Shabani.

Me 69 vota për, është miratuar edhe rezoluta nga debati parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri. 

/GazetaSinjali/