image Miratohen emrat e propozuar për Bord të AKP-së, mbledhja përcillet me përplasje e kritika

Politikë

Miratohen emrat e propozuar për Bord të AKP-së, mbledhja përcillet me përplasje e kritika

news image

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot ka shqyrtuar propozim-vendimin e qeverisë, për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Mbledhja është përcjellë me debat dhe kritika mes deputetëve të pozitë dhe opozitës. Ku përkundër kësaj, u miratua lista e emrave të propozuar nga qeveria për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Miratimi i listës së Bordit të ri të AKP-së është bërë me gjashtë vota për dhe tri kundër, ku këto të fundit ishin nga radhët e partive opozitare, PDK, LDK, AAK.

Kryetari i komisionit, Ferat Shala në këtë mbledhje tha se është për emërimin e këtij bordi, kandidati i propozuar ka punuar 7 vite të plota në ndërmarrjen Trepça, në kohën kur sipas tij Trepça është dëmtuar shumë.

Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet të plota në ndërmarrjen Trepça, periudhë që Trepça është dëmtuar shumë. Në periudhën e tij, është harruar një minierë e tërë në Llap, kur janë bërë regjistrimet e aseteve pas luftës. Aset i Trepçës, 5 km korridore të hapura, një minierë e tërë e përgatitur për eksploatim dhe sot 25 vjet pas luftës, kemi probleme të mëdha juridike lidhur me këtë zonë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për qeverinë mos me na sjellë një pensionist që ishte menaxher në kohën e regjimit“, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u shpreh se nuk po sheh që ka një mandat, por më shumë e sheh si politike.

Këtu nuk po e shoh që ka një mandat që do të shkohet për 2 vjet apo më gjatë. Më tepër po e shoh politike, është Bord për shuarjen e AKP. Unë nuk pajtohem derisa nuk e dimë sa do të zgjasë shuarja e AKP. Shuarja duhet të fillojë me plotësim-ndryshimin e ligjit. Kam dëshirë të di se sa është mandati i tyre”, tha Lekaj.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari – Lila tha se Qeveria nuk e ka mandatin të caktojë se sa do të zgjasë shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Unë jam e bindur që ky Bord do të jetë i fundit në AKP. Përgatitja e anëtarëve është ndoshta më e mira që kemi pasur deri më tash. Ky bord ka me bë transformim të politikave. Për herë të parë janë tri gra të cilat janë të propozuara për bordin e AKP-së. Unë shpresoj që ne përveç që e kalojmë në komision dhe në seancë, të jemi aktiv në punën tonë të përbashkët me bordin“, tha ajo.

Kurse deputetja Valentina Bunjaku- Rexhepi adresoi kritika për Lëvizjen Vetëvendosje duke e sugjeruar që të ndërroj emrin në “Vetëkapje”, pasi sipas saj kjo e fundit ka kapur shtetin.

“Tani po e emëroni një bord puro-politik. Unë pajtohem me dy parafolësit e mi, jemi kundër. Është shumë mirë që qytetarët po e shohin se ju keni ardhur në pushtet me kauzën për ç’ kapjen e shtetit por e keni kapur shtetin. Ju kisha propozu që Vetëvendosjes me ja ndërru emrin në “Vetëkapje”, tha ajo.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se problemi është përmbajtjesor, duke shtuar se duhet të shtyjnë përpara politikat e majta.

“Ne po shpresojmë ta korrektojmë këtë kurs. Z. Nazmi Mikullovci është një prej profesionistëve më të mirë që ka pasur Trepça”, tha ai.

Ndërsa një gjë të tillë e kundërshtoi Ferat Shala, i cili tha se kjo është e pasaktë.

“Gjithmonë kemi pasur problem këtë koncept ekstrem majtist. Jeni gabim. Krejt këto janë bindje politike. 2.4 milionë ton rezerva plumb zinku, janë rreth 240 milionë euro aset që do të mund të punësoheshin rreth 500 punëtorë në zonën kufitare të Llapit. Unë jam i bindur që një pjesë e LVV dhe shumë qytetarë nuk e dinë këtë. Unë këtu e kam hallin, është çështja e pretendentëve, është gjynah shtetëror”, tha Shala.

Deputeti Lekaj tha se pajtohet me Lëvizjen Vetëvendosje që t’i shtyjë përpara politikat e veta me njerëz te saj, e që janë nga e majta, por kërkoi nga ta që të mos kritikojnë ish-qeveritë.

Mos kritikoni për të kaluarën. Unë pajtoj që politikat e juaja me i shty me njerëzit tuaj. Pikë. Por, para se me ardh tek ky bord është dashur me ardh me ndryshimin e këtij ligji. Doni me shku në bankrotim të shtetit. Z. Mikullovci i ka 78 vjet dhe ka mentalitet të ish-sistemit“, tha Lekaj.

Në këtë pikë reagoi ashpër Kusari – Lila, e cila tha se presidenti i Amerikës Joe Biden është pikërisht 78 vjeçar, ndërsa tha se potencimi i moshës është diskriminim.

Porse këtu ndërhyri deputetja Valentina Bunjaku, e cila tha se ishte pikërisht deputetja Mimoza Kusari që para 2 jave ka pyetur një anëtar të Bordit të Agjencisë Kundër Korrupsionit për pensionimin e tij.

Ti e ke pyet vet një anëtar të bordit ‘a ke dalë në pension qe 2 muaj”, theksoi ajo derisa një gjë të tillë e mohoi Kusari -Lila.

/GazetaSinjali/