Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka miratuar raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2019.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj është zotuar se do të jenë shumë të kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike.
“Çështja e klasifikimit të shpenzimeve është adresuar. Çështja e mangësisë për rregullimin e sistematizimit të pozitave të punës. Çështja e marrëveshjes së shërbimeve të veçanta, është ndërprerë dhe nuk është vazhduar”.
“Ne jemi duke punuar vazhdimisht për t’i zbatuar të gjitha rekomandimet që janë nxjerrë nga raporti i ZKA”, tha ai.
“Do të jemi shumë të kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike,” ka shtuar Likaj.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Ali Berisha ka thënë se raporti i auditimit për këtë ministri është shqetësues. Ai ka thënë se këto parregullsi mund të adresohen në prokurori, por sipas tij, duhet vullnet nga udhëheqësit e MASh-it.
“Raporti i kësaj ministrie është shumë shqetësues dhe ka shumë gjetje. Këto gjetje ka vend që mund të adresohen në prokurori dhe nëse këta e kanë vullnetin mund ti zgjedhin këto”, deklaroi Berisha. /Gazeta Sinjali/