Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar opinion ligjor Agjencionit Kundër Korrupsionit për shpërblimet me pagesë ndaj zyrtarëve të lartë.
Haxhiu këtë e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se qëllimi i këtij opinioni ligjor është vënia në dijeni për mënyrën e drejtë në zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
“Sot, Ministria e Drejtësisë në cilësinë e hartuesit të Ligjit, i ka dërguar opinion ligjor Agjensionit Kundër Korrupsionit. Qëllimi i këtij Opinioni Ligjor është vënia në dijeni për mënyrën e drejtë në zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, konkretisht Nenit 13 të tij, i cili i ndalon shpërblimet me pagesë të zyrtarëve të lartë dhe i cili nuk është vënë ende në zbatim. Duke pasur parasysh që pavarësisht kësaj ndalese, zyrtarët e lartë sërish janë shpërblyer me pagesë si anëtarë të organeve drejtuese ku kanë qenë anëtarë, Ministria e Drejtësisë si sponzorizuese ka ndërmarrë veprime për zbatimin e këtij Ligji”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.