image Ministrja Haxhiu: Ka përfunduar koha e ndikimeve politike në Shërbimin Korrektues

Politikë

Ministrja Haxhiu: Ka përfunduar koha e ndikimeve politike në Shërbimin Korrektues

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me rastin e 22 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, u shpreh se tashmë ka përfunduar koha e ndikimeve politike e klanore me të cilat, sipas saj, ndër vite u përball ky institucion.

Haxhiu tha se krahas disa periudhave të tranzicionit, Shërbimi Korrektues i Kosovës për disa vite u përball edhe me realizim të interesave klanore të cilat thotë se zbehën dhe njollosën imazhin e Shërbimi Korrektues.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës përgjatë kohës ka kaluar nëpër disa tranzicione ka kaluar në procese sfiduese por ka pasur edhe arritje të theksuara, për çka u jam mirënjohëse. Përtej faktit se Shërbimi Korrektues i Kosovës përbën një institucion të sigurisë kombëtare, me një karakter dhe mision specifik dhe tregues së shtetit tonë, në mbrojtjen dhe aftësimin e personave të privuar nga liria, duke garantuar në këtë mënyrën trajtim, dinjitet e respektim të të drejtave të njeriut, sipas vlerave dhe standardeve ndërkombëtare.”

“Megjithatë, gjatë kësaj kohe Shërbimi Korrektues po ashtu gjegjësisht në vitet që lamë pas ishte shndërruar apo ishte përballur edhe me disa probleme të theksuara, gjegjësisht realizim të interesave të ngushta klanore, politike, individuale të cilat për një kohë relativisht të gjatë e kanë dominuar këtë shërbim duke zbehur imazhin e tij e derisa pjesë, pjesë e kanë njollosur.”

Sipas saj, këto interesa patën ndikuar në uljen e kredibilitetit dhe aftësinë e këtij institucioni për të zbatuar ligjin dhe rendin kushtetues. Sidoqoftë, ajo shprehet optimiste, që ato kohëra kanë përfunduar.

“Kjo pati ndikuar edhe në ulje të besimit të qytetarëve në kredibilitet dhe aftësinë e tij për të zbatuar misionin ligjor dhe kushtetues. Por, ne besojmë se kohërat e vështira të tranzicionit dhe paqëndrueshmërisë menaxheriale strukturore ku ndikimet politike kanë qenë të theksuara kanë përfunduar dhe është koha që Shërbimi Korrektues vërtet ta ketë dinjitetin e merituar”, theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë deklaroi se është vë prioritet në këtë ministri avancimi i institucionit të Shërbimit Korrektues, pasi kështu sipas saj, mund të sigurohet trajtim i duhur për personat e privuar nga liria.

Haxhiu u shpreh se do të punojnë që të gradohen ata që e meritojnë dhe të respektohen ata që japin kontribut në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Jam shumë e bindur që ju keni parë dhe vlerësoni vullnetin që kemi në mënyrë që të adresojmë dhe këto çështje që të gradohen ata që e meritojnë dhe të respektohen ata që japin kontribut të jashtëzakonshëm për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ne besojmë që pa avancimin e kushteve të punës dhe dinjitetin për personelin e institucioneve korrektuese nuk mund të presim rezultate të mira në trajtimin e personave të dënuar”, u shpreh Haxhiu.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi, tha se ky institucion i sigurisë ndër vite është ballafaquar me sfida të mëdha, por edhe me shumë suksese të jashtëzakonshme që kanë ndikuar në përmirësim dhe zhvillim të ShKK-së .

Ai shtoi se në këto 22 vjet, Shërbimi Korrektues ka arritur përmirësime të dukshme edhe në infrastrukturë, por edhe në ngritje të cilësisë së punës.

Ndërsa, shtoi se falë angazhimit është përmirësuar edhe imazhi i këtij institucioni të sigurisë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka obligim përcaktuar me ligj që t’u përcaktojë dhe sigurojë zbatim të njëtrajtshëm për të gjithë personat e privuar nga liria në mënyrë të njëjtë. Si rezultat i punës profesional me integritet, ndershmëri, objektivitet dhe transparencë, Shërbimi Korrektues i Kosovës për këto 22 vjet ka arritur përparime të dukshme si në infrastrukturë ashtu edhe ngritje të nivelit të cilësisë së punës.”

Shërbimi Korrektues i Kosovës për të siguruar një nivel të lartë për përmbushje të obligimeve është fokusuar në pesë shtylla kryesore: nivelin e ngritjes së sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative, trajtimin e të burgosurve me respekt për shkak të dinjitetit të tyre dhe vlerë së tyre si qenie njerëzore”, u shpreh ai.

Në ceremoninë e shënimit të 22 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ky institucion ka ndarë mirënjohje edhe për bashkëpunëtorë, por edhe ata që kanë dhënë kontribut përmes punës në këtë institucion të sigurisë./GazetaSinjali/