image Ministrja Haxhiu: Do të donim të kishim drejtësi për Astritin por nuk e kemi, përgjegjësinë e mban prokuroria

Drejtësi

Ministrja Haxhiu: Do të donim të kishim drejtësi për Astritin por nuk e kemi, përgjegjësinë e mban prokuroria

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me rastin e 6-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka bërë homazhe te varri i të ndjerit.

Haxhiu tha se Dehari ishte një aktivist shembullor që dha gjithçka që Kosova të jetë vend i jetueshëm. Ajo shtoi se fatkeqësisht nuk ka ende drejtësi për Deharin.

“Do të donim të kishim drejtësi për Astritit por fatkeqësisht nuk e kemi, këtu e mban përgjegjësinë prokuroria, sepse është përgjegjëse për hetimin e zbardhjes së rrethanave që kanë sjellë te vdekja e tij. Ishte marrë në paraburgim duke ia veshur një vepër që nuk e ka bërë, dhe nuk doli nga aty i gjallë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo tha se si ministre e Drejtësisë, si aktiviste, si qytetare konsideron se prokuroria duhet të bëjë punën si duhet dhe të mos ketë vonesa. Sipas ministres, nëse ka neglizhenca me lëndën e Deharit, të ndërrohet prokurori i rastit.

“Ka një neglizhencë të theksuar nga ana e prokurorit special, ai nuk flet për rastin, nuk flet për veprimet që i ka ndërmarrë dhe thjesht e injoron çdo kërkesë që e ka familja apo edhe avokati mbrojtës. Thërras që në qoftë se ka neglizhencë të kësaj lënde të ndërrohet prokurori i rastit ose të formohet një ekip prokurorësh për zbardhjen sa më të shpejt të rastit”, ka shtuar ajo.

/GazetaSinjali/