Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se prioritet i Qeverisë Kurti do të jetë fuqizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, si një ndër sfidat kryesore të sektorit të Drejtësisë në Kosovë.
Haxhiu njoftoi se në agjendën e saj është edhe draftimi i Ligjit për këtë shërbim.
“Ministria e Drejtësisë e ka prioritet fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ne do të punojmë me përkushtimin më të madh për të sjellë Shërbimin Korrektues në nivelin e duhur. E di që ka pasur avancime, por konsideroj se ka munguar mbështetja nga niveli politik. Prandaj, ne do të japim mbështetjen e duhur… Sa i përket stafit të Shërbimit Korrektues, më lejoni të ju informoj se në agjendën time si ministre e drejtësisë është edhe draftimi i Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në agjendën legjislative për këtë vit do të parashihet procedimi në Kuvendin e Kosovës i këtij projektligji. Aktualisht Shërbimi Korrektues i Kosovës funksionon me tri ligje, dhe duke pasur parasysh natyrën dhe rëndësinë që ka, natyrisht ne duhet të shohim mundësinë e adresimit përmes ligjit të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës , tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë, po ashtu, premtoi se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve për stafin e Shërbimit Korrektues. Ndër të tjera, ajo ka theksuar se shqetësim mbetet edhe moszbatimi i nenit 224, ku parashihen kontrollet mjekësore për zyrtarët korrektues e që sipas saj një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Është shqetësimi i imi si ministre e Drejtësisë, është mungesa e zbatimit për vite radhazi të nenit 224 për vërtetimet shëndetësore dhe psikofizike të punësuarve si zyrtar korrektues në Shërbimin Korrektues. Ata çdo dy vjet duhet të matin aftësitë shëndetësore, psikofizike, por kjo nuk është realizuar. Unë kam informacione që gjendja në këtë drejtim nuk është e mirë, sepse nuk ka pasur kontrolle të tilla shëndetësore dhe në këtë drejtim ne do të punojmë që Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale të zbatohet”, ka thënë Haxhiu.
Këto deklarata Haxhiu i bëri gjatë konferencës për përmbylljen e projektit për “Fuqizimin e mëtutjeshëm të Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues në Kosovë”.
Ky projekt me vlerë dy milionë euro është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe është zbatuar nga Agjencia e Sanksioneve Penale të Finlandës, që nga shtatori 2017. /Gazeta Sinjali/