Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Skënder Reçica, ia ka dorëzuar sot detyrën ministres së re të Ekonomisë, Punësimit, Industrisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdarit.
Ministrja Hajdari, tha se do të vazhdojnë të gjitha punët e mira që janë iniciuar nga kjo ministri, me fokus çështjen e punësimit.
“Shpresoj që me kompetencën që e gjej në këtë ministri do të kemi vazhdimin e proceseve të shëndosha që janë iniciuar prej kësaj ministrie. Shpresoj që të gjej bashkëpunim shumë të afërt ashtu siç ju e përmendët, kështu që me juve bashkë do të kem sukses. Vetëm si ministre tash që jam nuk besoj që mund të kem sukses vetëm, pa shërbyesit civilë, pa kolegët nga gjithë drejtoritë dhe agjencionin e punësimit. Unë kam ardhur ta marrë mandatin për portofolion e punësimit që është një çështje shumë e rëndësishme për Kosovën, sidomos kur e kemi parasysh rininë, popullatën e re që është e papunë. Me planin qeveritar të ri duhet të bëhen hapa konkretë se çka dhe si të adresohet çështja e punësimit”, tha Hajdari.
Përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hajdari gjatë ditës ka pranuar detyrën e ministres nga ministri i deritanishëm i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, ai i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala. /Gazeta Sinjali/