Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se rënia ekonomike në Kosovë, si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi, do të fillojë nga 3 përqind, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë paralajmërim Bajrami e bëri në mbledhjen e Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Transfere, ku po shqyrtohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.
Me këtë rast, ministrja tha se situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar te qytetarët dhe te bizneset.
“Ne kemi fillu procesin e rishikimit në ditën e parë të punës së kësaj qeverie, edhe pse kemi pas kohë të kufizuar besoj që kemi bërë më të mirë për të hartuar një draft që është gjithëpërfshirës. Jemi duke u përballur me një sfidë të pazakontë që na ka imponuar që të marrin vendime agresive. Pandemia edhe në Kosovë ka bërë që bizneset e qytetarët kanë bërë që të ndikohen. Shumica e bizneseve kanë qenë të mbyllura, disa punëtorë s’kanë marrë fare paga”, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë se rënia ekonomike do të fillojë nga ky vit, ndërsa rritje ekonomike thotë se presin në vitet e ardhshme.
“Në vitin 2020 presim një rënie ekonomike prej – 3 %. Megjithatë presim që rritja të ndodhë në vitet tjera. Për sa i përket çmimeve, pritet një stabilitet i theksuar. Po jetojmë në një kohë shumë sfiduese që krijon pa siguri të theksuar veçanërisht kur jemi te projeksionet e tilla ekonomike”, ka thënë ajo.
Sidoqofë, ministrja ka thënë se qeveria ka buxhet të mjaftueshëm për paga dhe mëditje, për këtë vit.
“E dini që fondi ndërkombëtar dhe banka botërore në rritje ekonomike do të jetë më i lartë se projeksionet tona. MF menjëherë pas kalimit të buxhetit do të fillojë rishikimin e kornizës afatmesme të shpenzimeve. Kur jemi te të hyrat, duke u bazuar në rishikimin e fundit, projeksionet tregojnë se në vitin 2020, krahasuar me vitin e kaluar kemi një rënie prej 5%, krahasuar me buxhetin origjinal rënia është mjaft e madhe 11.5%. Te pagat dhe mëditje ka buxhet të mjaftuar për këtë vit”, tha ministrja Bajrami./Gazeta Sinjali/