image Ministria nuk ua përfilli kërkesat/ Punëtorët e ATK-së vazhdojnë grevën me orar të zgjatur

Financa

Ministria nuk ua përfilli kërkesat/ Punëtorët e ATK-së vazhdojnë grevën me orar të zgjatur

news image

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, ka njoftuar se do ta vazhdojë grevën edhe këtë javë, por kësaj radhe me orar të zgjatur, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo grevë po vazhdon pasi që kërkesat e tyre nuk u përfillen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, as pas ridërgimit të kërkesave përmes shkresës së fundit me datë 9 qershor 2021, përmes të cilës kanë dhënë afat prej 30 ditësh.

Kjo sindikatë paralajmëron se nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen nga kjo ministri, punëtorët e ATK-së nga 26 korriku do të futen në grevë të përgjithshme, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

“Sindikata njofton që grevën që e ka vazhduar me datë 14 korrik 2021, do vazhdohet nga e hënë deri të premten, por me masa të shtuara duke filluar nga ora 8:00 deri 12:00, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit, ndërsa nëse ende nuk ka reflektime në lidhje me kërkesat tona nga data 26 korrik 2021 do të vazhdohet me grevë të përgjithshme nga ora 08-16”, thuhet në njoftim.

Greva do mbahet në të gjitha Drejtoritë e Administratës Tatimore të Kosovës.

Kërkesat e punëtorëve të ATK-së drejtuar Ministrisë së Financave, janë:

 1. Propozim ndryshimi i statusit të Administratës Tatimore të Kosovës;

 2. Krijimi i kushteve të punës;

 3. Kompenzimet tjera të shpenzimeve (sipas kërkesave paraprake)./Gazeta Sinjali/