image Ministria e Tregtisë dhe Industrisë harxhon 55 mijë euro për një trajnim në Durrës

Kosovë

Ekonomi/ Ministria e Tregtisë dhe Industrisë harxhon 55 mijë euro për një trajnim në Durrës

news image

Trajnimi i 89 zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ligjin e ri për zyrtarët publik i kushtoi buxhetit të shtetit hiç më pak se 55 mijë euro.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumente publike për shpenzimet e bëra gjatë këtij udhëtimi.

Për tri grupe shkuarjesh të 89 punëtorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në bregdetin shqiptar, u shpenzuan rreth 55 mijë euro të buxhetit të shtetit.

Në trajnimin që organizoi kjo ministri në Durrës, për reformën në Administratën Publike, përkatësisht ndryshimet ligjore të ligjit për zyrtarët publikë, vetëm për mëditje u shpenzuan 6 mijë e 552 euro.

Për 89 personat, staf i MTI-së, për akomodim, ushqim, transport dhe trajnim, u pagoi 47 mijë 726 euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë.

Në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë, është konfirmuar i gjithë shpenzimi dhe është thënë se ai ka qenë i kontraktuar.

“Organizimi ka qenë i dedikuar në fushën e ‘Reformës së Administratës Publike – Administratës Shtetërore të Republikës së Kosovës/risitë dhe ndryshimet ligjore (Ligji për zyrtarët publikë).

Pjesëmarrës në këtë trajnim kanë qenë 89 zyrtarë të ndarë në tri grupe. Organizimi ka qenë i kontraktuar”, ka thënë zyra për Media e MTI-së për Gazetën Sinjali.

Ky trajnim është organizuar në fillim të nëntorit, në Golem, e një grup tjetër ka shkuar disa ditë para tërmetit që ndodhi në Durrës.

Gazeta Sinjali mëson se gjatë këtij udhëtimi drejtorët e MTI-së kanë shkuar me vetura ndërsa stafi i kësaj ministrie me autobus. /Gazeta Sinjali/