image Ministria e Mbrojtjes: Kosova është e gatshme të përfshihet në operacione ushtarake nëse i kërkohet nga ShBA-ja

Kosovë

Ministria e Mbrojtjes: Kosova është e gatshme të përfshihet në operacione ushtarake nëse i kërkohet nga ShBA-ja

news image

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka dalë me një deklaratë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.

Nga ministria e Mbrojtjes e Kosovës thonë se nëse kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata do të ofrojnë kapacitetet operacionale të FSK-së në operacionet e mundshme.

“Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme. Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e    Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Nga kjo ministri kanë kërkuar që ShBA të miratojë kërkesën e kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes, me vëmendje maksimale jemi duke monitoruar situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

Ministria e Mbrojtjes, me mekanizmat tanë, monitorojmë pandërprerë, të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale, si dhe synimet dhe aktivitetet e akterëve armiqësor që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë nga jashtë.

Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intenzivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura, në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese, para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë.

Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj.

Prandaj qytetarë të dashur,

Lajmet e rrejshme, trillimet dhe inskenimet e mundshme, janë element që zbatojnë strukturat ruse dhe ato të sponzorizuara nga ta, në vazhdimësi edhe në situatën aktuale.

Prandaj kërkojmë nga ju që të mos bieni viktimë e tyre, por të merrni parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, dhe qytetarët e saj në përgjithësi, përmes përfaqësuesëve të saj kanë shprehur hapur dhe në mënyrë të vendosur mbështetjen për popullin e Ukrainës, si dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura joshtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të  së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës.

Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e    Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO.

Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozizht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

Ky veprim  do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bartë NATO, dhe përkon me  synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me SHBA-në.

Kjo është koha që të gjitha kombet e  përgjegjshme të qëndrojnë fuqishëm së bashku në anën e duhur të historisë.

/GazetaSinjali/