image Ministria e Mbrojtjes i paraqet para Komisionit Parlamentar objektivat për vitin 2020-2021

Siguri

Ministria e Mbrojtjes i paraqet para Komisionit Parlamentar objektivat për vitin 2020-2021

news image

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, sot para Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje, ka paraqitur objektivat për vitin 2020-2021.       

“Ministria e Mbrojtjes i ka objektivat e deklaruara  që synon t’i arrijë  gjatë këtij viti dhe viteve të ardhshme. Objektivat për vitin 2020 – 2021, janë në shërbim të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, ku përfshihen çështjet: strategji, politika, akte nënligjore, personelin, zhvillimin në karrierë, krijimin e njësive të reja, rikonstruktimin dhe riorganizimin e Ministrisë dhe FSK-së.”, tha Quni.

Ai më tutje tha se ky proces do të ketë një dinamikë deri në vitin 2027.

Ky proces mbështet me të gjitha ato nevoja nga fusha e teknologjisë ushtarake që do të aplikohet brenda FSK-së, dhe këto së bashku kanë një dinamikë deri në vitin 2027, që çdo njësi veç e veç, por edhe FSK-ja në përgjithësi të shpallen të certifikuara me arritjen e kapaciteteve të plota operacionale“.

Në vazhdim ministri Quni, shtoi se, pavarësisht situatës me pandeminë, operacionaliteti i FSK-së është i tillë që të garantojë, që deri në vitin 2027, do të arrijë t’i deklarojë kapacitetet e plota, që FSK të jetë garantuese e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, të jetë plotësisht e gatshme t’i përgjigjet nevojave të autoriteteve civile për asistencë, dhe e gatshme të zbarkoj jashtë vendit në operacione paqeruajtëse. Ministri Quni, më tej ka shtuar se për çdo objektiv duhet një angazhim i veçantë, sepse kërkon dinamik të diplomacisë së jashtme, ekspertizë të lartë të FSK-së, dhe besueshmëri te komuniteti ndërkombëtar. 

Po ashtu, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i njoftoi të pranishmit me zhvillimet më të reja në planin e përgjithshëm të FSK-së, aktivitetet për realizimin e objektivave dhe planit gjithëpërfshirës  të tranzicionit./ Gazeta Sinjali/