Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se deri në orën 21:00 sipas kohës lokale në Ukrainë, territoret nën kontrollin ukrainas janë granatuar 80 herë nga republikat e vetëshpallura pro-ruse të Luhanskut dhe Donetsk.
Informacioni vjen përmes deklaratës së fundit të Ministrisë së Mbrojtjes për shkeljet e armëpushimit në Ukrainën lindore, shkruan CNN.
Nga 80 incidente, 58 përfshinin armë të ndaluara sipas marrëveshjeve të Minskut, të cilat përcaktojnë se armët e rënda nuk duhet të jenë brenda 50 kilometrave nga vijat e frontit.
Të martën, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Marrëveshjet e Minskut “nuk ekzistojnë më”, duke shtuar: “Çfarë duhet të zbatohet nëse i kemi njohur këto dy entitete?”
Ministria e Mbrojtjes regjistroi 84 shkelje të armëpushimit të hënën.
Si pjesë e sulmeve të së martës, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se një ushtar është vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.
Sipas ministrisë, qyteti i Shchastya – afër Luhansk – ka pësuar disa nga granatimet më të rënda.
Ministria vazhdoi të akuzonte separatistët e mbështetur nga Rusia për vendosjen e armëve të rënda “brenda vendbanimeve për të provokuar mbrojtësit ukrainas që të kthejnë zjarr”.