image Ministria e Financave tregon se kur do t'i ekzekutojë pagesat nga Pakoja Fiskale Emergjente

Financa

Ministria e Financave tregon se kur do t’i ekzekutojë pagesat nga Pakoja Fiskale Emergjente

news image

Shumë qytetarë, punëtorë e të papunë po presin t’i marrin paratë nga Pakoja Fiskale Emergjente që ua premtoi shteti.

Para tri ditësh, në Kuvend u votua në lexim të parë rishikimi i buxhetit të këtij viti. Paraprakisht, në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kishte thënë se mosrishikimi i buxhetit nga Kuvendi po e mban peng ekzekutimin e mjeteve nga Pakoja Emergjente Fiskale, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe pagesat nga masat e tjera të parashikuara në këtë pako.

Nga Ministria e Financave i kanë thënë Gazetës Sinjali se kanë kërkuar që ky projektligj të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare dhe të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.

“Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Ashtu siç e kemi bërë të ditur, Ministria e Financave ka kërkuar që projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar”, thuhet në përgjigjen e Muharrem Shahinit nga Divizioni për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave.

Sipas këtij digasteri, sapo të hyjë në fuqi projektligji për buxhetin e rishikuar, menjëherë do të realizohet ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Fiskale Emergjente.

“Ministria e Financave bën me dije se sapo projektligji për buxhetin e rishikuar të hyjë në fuqi, ekzekutimi i pagesave të pakos emergjente fiskale do të realizohet në mënyrë të menjëhershme. Sa i përket afateve kohore të procedimit projektligjit në Kuvend, ju lusim që t’i drejtoheni Kuvendit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën Sinjali.

Para një jave, ministrja Hykmete kishte raportuar në Komisionin për Buxhet dhe Transfere për gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet Kosova aktualisht si pasojë e pandemisë, duke treguar se momentalisht s’mund të kryhet asnjë pagesë nga Pakoja Fiskale Emergjente, derisa tregoi se 20 mijë persona i janë shtuar skemës sociale të masës 15 të kësaj pakoje që presin t’i marrin nga 130 euro.

“Situata është tepër emergjente sepse jemi krejt të bllokuar dhe nuk mundemi më ta kryejmë asnjë pagesë të Pakos Fiskale Emergjente. Kjo është situata dhe na duhet të gjithë me mbajtë përgjegjësi që me dalë dhe me i ndihmu sektorit privat. Janë 20 mijë individë që sot ju kanë bashkangjitë skemës sociale për masën 15 të Pakos Fiskale Emergjente që presin t’i marrin 130 euro sepse punëdhënësit e tyre nuk kanë pasur mundësi me i pagu as edhe një cent gjatë kësaj periudhe”, kishte thënë Bajrami. /Gazeta Sinjali