Nën udhëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe ambasadorit gjerman në Kosovë Joern Rohde, sot u mbajt takimi për lansimin e përditësimit të platformës EDI të Administratës Tatimore të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij ministri Murati falënderoi ambasadorin gjerman në Kosovë Joern Rohde për ndihmën që shteti gjerman ka dhënë për digjitalizimin dhe avansimin e platformës EDI në Administratën Tatimore të Kosovës.
“Kjo platformë deri më tani është shfrytëzuar vetëm për të deklaruar obligimet tatimore në ATK si dhe ato pensionale në Fondin Pensional. Me këtë përditësim të platformës EDI, bizneset deklarimet do t’i bëjnë vetëm në ATK, pa qenë nevoja të dërgojnë kopje të forta në Këshillin për Raportim Financiar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Gjithashtu, gjatë takimit u theksua se ATK dhe KRF me sistemin e ri do të jenë në gjendje që të bëjnë analiza të ndryshme nga Pasqyrat Financiare që i marrin nga tatimpaguesit apo bizneset. Përveç kësaj, këto të dhëna do të publikohen në faqen e KRF-së, të cilat do të jenë burim për shfrytëzim edhe nga Universitetet dhe institucione të ndryshme.
Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde theksoi se “Ky është një hap i rëndësishëm drejt dixhitalizimit dhe drejt uljes së barrës administrative mbi bizneset”.
“Në të njëjtën kohë, ky hap është gjithashtu thelbësor për t’i dhënë mundësi institucionit të përdorë dhe publikojë të dhëna në përputhje me kërkesat ndërkombëtare për transparencë. Kjo do të thotë që, bizneset ndërkombëtare të interesuara për bashkëpunim me një biznes kosovar, tani përmes kësaj platforme mund të gjejnë informacione të hollësishme rreth bizneseve kosovare”, është shprehur ai.
Avancimi i sistemit EDI është një hap më shumë drejt digjitalizimit të ATK-së, gjë që është në përputhshmëri me objektiven e Qeverisë për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve duke zvogëluar barrën administrative. /Gazeta Sinjali/