image Ministria e Ekonomisë tregon arsyen e shkarkimit të kryeshefit të "Trepçës"

Kosovë

Njoftim/ Ministria e Ekonomisë tregon arsyen e shkarkimit të kryeshefit të “Trepçës”

news image

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike(MEPTINIS), ka deklaruar se dje është informuar përmes mediave se bordi i përkohshëm ka larguar nga detyra kryeshefin ekzekutiv të “Trepça”, Basri Ibrahimin.

Në komunikatën e tyre thuhet se dorëheqja e tij ka qenë kërkesë e këshillit grevist të minatorëve, që janë hedhur në grevë për shkak të vonesës së pagave.

Dje pas shkarkimit, Ibrahimi i ka thënë Gazetës Sinjali se shkarkimi i tij është bërë për arsye politike dhe me kërkesë të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari. Ai po ashtu tha se MEPTINIS e ka porositur shkarkimin e tij dhe ka vonuar qëllimisht dhënien e subvencioneve, që janë ndarë me ligjin për buxhetin.

Por një gjë të tillë ministria e ka hedhur poshtë.

“Ministria në fakt e ka trajtuar ndërmarrjen Trepça SH.A me përparësi, duke e vë para ndërmarrjeve të tjera publike, për shkak të ndjeshmërisë ndaj minatorëve. Para se të jepen subvencionet, ndërmarrja duhet t’i paraqesë Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pranë Ministrisë, të dhënat për projektet dhe operacionet, që do të mbështeten me subvencione. Z. Ibrahimi i ka dorëzuar të dhënat me vonesë. Përkundër kësaj vonese, Njësia për NP ka finalizuar brenda ditës draftin e marrëveshjes për Trepçën. Ministrja Rozeta Hajdari e ka nënshkruar atë menjëherë dhe ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë të bartin mjetet në llogari të ndërmarrjes. Mirëpo zyrtarët financiarë kanë hasur në pengesa shkaku i mangësive në dokumentacion”, thuhet në komunikatën e MEPTINIS.

Sipas tyre, menaxhmenti i ndërmarrjes nuk ka raportuar siç kërkohet për subvencionet e mëparshme, për të siguruar se mjetet janë ndarë sipas marrëveshjes dhe pa diskriminim – si për minatorët në Leposaviq, ashtu për minatorët në Stantërg e në Artanë, dhe që kjo situatë ka detyruar zyrtarët të hetojnë çështjen në hollësi, por nuk ka shkaktuar vonesa të tilla sa për t’u bërë shkas i pakënaqësisë së minatorëve.

“Rikujtojmë se ndërmarrja ka keqmenaxhuar subvencionet më parë, ku me paratë e dhëna për rrymë, në dhjetor të vitit 2019, janë shlyer borxhe të tjera. Në mars të 2020-tës, ndërmarrjes i janë dhënë subvencione shtesë për rrogat e minatorëve, ndërsa menaxhmenti ka shënuar gabimisht numrin e xhirollogarisë së ndërmarrjes, duke shkaktuar vonesë në bartjen e mjeteve. Në paraqitjen e kërkesës për subvencione, menaxhmenti ka ngatërruar operatorët e energjisë KEK dhe KEDS, duke krijuar përshtypje të gabuar për detyrimet ndaj këtyre operatorëve”, vijon njoftimi.

“Jo-profesionalizmi në komunikim gjatë përgatitjes së marrëveshjes së re për subvencione është vazhdimësi e shkeljeve dhe gabimeve të së kaluarës. Kurse vendimi i bordit të përkohshëm mbikëqyrës është vendim i pavarur, për të cilin Ministria është njoftuar tek pas marrjes së tij”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/