image Ministria e Drejtësisë synon të riaktivizojë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Kosovë

Drejtësi/ Ministria e Drejtësisë synon të riaktivizojë Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

news image

Ministria e Drejtësisë pritet të aktualizojë Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky institut, që drejtor kishte Ismet Salihun, u mbyll në vitin 2018 kur në krye të ekzekutivit ishte Ramush Haradinaj. Por, megjithëse ka nisur puna, rrëzimi i qeverisë mund të jetë shkas i mosjetësimit të këtij instituti.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë vendim dhe ka krijuar ekipin punues i cili do ta përgatisë analizën për themelimin e institutit që do të hulumtojë krimet në Kosovë.

Në krye të Ekipit Punues qëndron Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Ministrja Haxhiu ka thënë për Kohën se mandati i këtij ekipi, i cili pritet të fillojë punën nga java e ardhshme – është deri në muajin shtator.

“Në programin tonë qeverisës parashihet themelimi i Institutit për Krime Lufte. Unë kam formuar ekipin punues në këtë drejtim. I njëjti ka për mandat analizën dhe propozimin se si në Kosovë mund të themelohet instituti. Mandati i tij është deri në shtator, kjo për shkak të rrethanave me pandeminë, kam konsideruar që mund të paraqesin vështirësi në këtë drejtim. I njëjti në javën e ardhshme pritet të fillojë punën”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu shprehet se lidhur me këtë çështje, më shumë kanë punuar organizatat dhe shoqatat sesa institucionet e Kosovës dhe kjo sipas saj, është e pafalshme.

“Kosova ka pasur Institutin për Krime Lufte, mirëpo i njëjti ndonëse kishte në përbërje profesorë të nderuar, asnjëherë nuk është mbështetur me kapacitete njerëzore e financiare nga qeveria dhe pas disa viteve i njëjti u shua. 20 vjet pas luftës, është për keqardhje se si Kosova ende nuk e ka Institutin për Krime Lufte dhe ende mungon aspekti institucional i dokumentimit të krimeve të luftës, kjo është goditje e madhe ndaj historisë tonë, por edhe padrejtësi ndaj gjithë atyre që kanë bërë gjithçka për liri e pavarësi dhe s’janë në mesin tonë”, tha Haxhiu.

“Unë jam shumë e bindur që do të arrijmë të kemi dokumentimin institucional të krimeve të luftës. Megjithatë paralelisht me këtë duhet hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës. Ekipi punues ka mandat deri në shtator. Rrethanat me rrëzimin e Qeverisë e vështirësojnë jetësimin e Institutit sepse pas rrëzimit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por ne nuk do të ndalim punën tonë”, u shpreh Haxhiu./Gazeta Sinjali/