Ministria e Arsimit edhe vitin e kaluar ka paguar 135 mijë e 760 euro për 32 punëtorë serbë të cilët nuk kishin shkuar kurrë në punë gjatë vitit 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Auditorit, këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Por sipas vendimit për emërimin e tyre, të njëjtit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.
Kështu ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë ministri.
“Për këta punonjës, MASHTI, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2020, për këta 32 zyrtarë është 135,760€”, thuhet në raport.
Në raportin e ZKA-së thuhet se “ndonëse MASHTI kishte kërkuar nga Qeveria përkrahje lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, kjo e fundit nuk kishte marrë ndonjë veprim. Përveç kësaj kërkese, MASHTI nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të siguruar vijueshmërinë e këtyre zyrtarëve në vendin e punës.”
Pagesa e pagave për punonjës që nuk paraqiten në punë, shkakton dëmtim të buxhetit të ministrisë si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës, thuhet tutje në raport.
Zyra e Auditimit rekomandon që të ndërmerren të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.
Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione. Përmes këtij vendimi, obligohen ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore.