image Ministria e Ambientit merr vendim që të mos ndërtohet lagjja në afërsi të Badovcit

Kosovë

Vendim/ Ministria e Ambientit merr vendim që të mos ndërtohet lagjja në afërsi të Badovcit

news image

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, ka marrë vendim gjatë ditës së sotme që ndalon çdo ndërtim në afërsi të Badovcit. Në vendim obligohet Komuna e Prishtinës të anuloj vendimin për kushtet lidhur me rastin e ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka parë vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit e cila përfundimisht e obligon Komunën e Prishtinës të anulojë vendimin lidhur me kushtet e ndërtimit në afërsi të Badovcit.

“Obligohet Komuna e Prishtinës për anulimin e vendimit nr 01-2993/17 për Kushtet Ndërtimore për rastin e ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim.

Muaj më parë çështja e ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit kishte shkaktuar shqetësime të mëdha tek qytetarët e Kosovës, për shkak të frikës se mund të dëmtohej natyra që gjendej atje dhe më e rënda helmimi ujit të pijes.

Dy kompani se bashku me pronarin e tokës, Rrahman Haradini, kishin nënshkruar më 8 janar një marrëveshje që të realizonin një projekt ndërtimor të një lagjeje pranë liqenit të Badovcit.

Menjëherë kishin reaguar shumë qytetarë të vendit duke kërkuar mbrojtjen e liqenit të Badovcit. Komuna e Prishtinës kishte konfirmuar se këtij plani ishte lëshuar vetëm kushtet ndërtimore, por jo edhe ndonjë leje tjetër.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, kishte shkruar se investitorëve u ishte përcaktuar qartë në kushtet ndërtimore se duhet së pari të kenë Pëlqimin dhe Vlerësimin Mjedisor e më pas t’i drejtohen Komunës.

Ahmeti kishte konfirmuar se kompanive nuk i ishte dhënë lejë ndërtimi.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, kishte shkruar Ahmeti.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç quhej atëherë e që udhëhiqej nga Fatmir Matoshi, përmes një publikimi në Facebook kishte thënë se as kompanitë dhe as pronari i pronës nuk kanë aplikuar në MMPH për asnjë leje.

“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit te mediave lidhur me iniciativen rreth një projekti i cili synon te ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës (Rrahman Hajredini), dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore”, thuhej në letrën e ish-ministrit Matoshi./Gazeta Sinjali/