image Ministri Vuçeviq: Mjafton një shkëndijë për të ndezur gjithçka në Kosovë

Politikë

Ministri Vuçeviq: Mjafton një shkëndijë për të ndezur gjithçka në Kosovë

news image

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviq, konsideron se situata në Kosovë është aq e ndezshme dhe e tensionuar sa që mjafton një shkëndijë për ta ndezur atë dhe gjithçka mund të shkojë në një drejtim të padëshiruar.

Vuçeviq po fliste për një kanal televiziv lokal, teksa edhe vlerësoi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

“Atmosfera në Kosovë është aq e tensionuar sa që incidenti më i vogël mund të çojë në drejtim të padëshirueshëm dhe kjo nuk është për t’u habitur sepse Prishtina dhe (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti vazhdimisht bëjnë lëvizje të synuara në destabilizimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”, tha Vuçeviq, shkruan Anadol.

Ai shtoi se Serbia është me serbët në Kosovë.

“Nuk është e lehtë t’u shpjegosh serbëve në veri të Kosovës se duke qenë të poshtëruar, ata duhet të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokime. Qëllimi më i madh i Kurtit është të tremb serbët atje,” tha ministri serb i mbrojtjes.

Para zgjedhjeve të parakohshme lokale të 18 dhjetorit në katër komuna në veri të Kosovës, të martën janë dëgjuar shpërthime dhe sirena në disa lagje të veriut.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre në veri të shoqëruar nga policia lokale, por nuk kanë mundur të hyjnë.

Tensionet Kosovë-Serbi u ndezën muajin e kaluar kur serbët në Kosovë u tërhoqën nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale për të protestuar kundër vendimit për zëvendësimin e targave të makinave të lëshuara nga autoritetet serbe me ato nga Kosova.

/GazetaSinjali/