image Ministri Veliu premton që nuk do të paguhen punëtorët serbë që nuk shkojnë në punë

Kosovë

Ministri Veliu premton që nuk do të paguhen punëtorët serbë që nuk shkojnë në punë

news image

Pagave të punëtorëve nga komuniteti serb pa shkuar fare në punë do t’iu vijë shumë shpejtë fundi. Këtë premtim e dha sot ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportin e auditorit për vitin 2019, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministri Veliu theksoi se për këto paga të këtij komuniteti që janë duke u ndarë qe pesë vite në bazë të një marrëveshjeje politike të arritur në Bruksel do ta paraqesë në një prej mbledhjeve të Qeverisë.

E kryesuesi i Komisionit, Enver Haliti tha se nga ish-ministri, Mahir Yagcilar ishte lejuar të bëhet pagesa prej 111 mijë euro për shpenzimin e rrymës pa pranuar faturë fare.

Deputeti Haliti po ashtu ngriti edhe çështjen e punësimit me marrëveshje të veçanta dhe lejimin e vazhdimit të kontratave mbi 6 muaj.

“Parapagimi për shpenzimet e rrymës. Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, shpenzimi i parasë publike nuk duhet të realizohet para pranimit të mallit ose shërbimit. Ministria ka bërë pagesën për shpenzimet e rrymës në vlerë prej 111 mijë e 501 euro në muajin dhjetor pa pranuar faturë të shpenzimit. Të gjeturat tjerë, për marrëveshjet e veçanta më gjatë se gjashtë muaj dhe pa procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit… gjatë vitit 2019 të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin 50 zyrtarë, ndërsa 21 prej tyre janë angazhuar që prej vitit 2017”, theksoi Haliti.

Për këtë ministri Veliu ka thënë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë që mos të paguajnë më rrymë pa pranuar faturën e shpenzuar. Po ashtu, ai siguroi se edhe për punësimin me kontrata të veçanta në këtë ministri është rregulluar sipas Ligjit të prokurimit.

“Kompensimi i pagave të të ashtuquajturës mbrojtjes civile, 20 punëtorë të komunitetit serb, kjo çështje do të adresohet edhe në Qeveri. Parapagimi i faturës së energjisë elektrike dhe shpenzimet do të bëhen sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike. Angazhimi i punëtorëve në marrëdhënie për shërbime të veçanta sipas legjislacionit të ri, kjo çështje është rregulluar sipas Ligjit të prokurimit. Për avancat e hapura janë ndërmarrë veprime dhe është në proces mbyllja e të gjitha avancave të hapura. Certifikimi i pagesës, kjo duhet të bëhet pasi të procedimit kërkesa për blerje nga njësia kërkuese”, tha Veliu.

E deputetja Besa Gaxherri nga LDK tha se ministri Veliu nuk është përgjegjës për të gjeturat e kësaj ministrie në vitin 2019, edhe pse ajo kërkoi nga ai që këto rekomandime të adresohen, sidomos për parapagimin e rrymës, sipas të cilës kjo është shqetësuese.

“Ka probleme, natyrisht që nuk jeni përgjegjës për ish-ministrin (Mahir Yagcilar), por natyrisht që keni obligim t’i identifikoni këto parregullsi dhe ta planifikoni zgjidhjen e tyre… Shqetësuese për mua ishte parapagimi për shpenzimet e rrymës. Kjo për stafin e tuaj nuk është arsyeshme, pasi janë paguar shpenzimet pa ardhur faturat dhe duhet të kërkohet përgjegjësi nga kush është bërë dhe pse është bërë”, theksoi ajo.

Gjatë ditës në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike ka raportuar edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.