image Ministri serb i Mbrojtjes: Rrezik nëse dërgohen policë shqiptarë në Veri, s’e përjashtoj përshkallëzimin e situatës

Politikë

Ministri serb i Mbrojtjes: Rrezik nëse dërgohen policë shqiptarë në Veri, s’e përjashtoj përshkallëzimin e situatës

news image

Për ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, përshkallëzimi ose jo i situatës në veri të Kosovës, varet nga ajo se a do ta lejojë KFOR-i kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ta dërgojë policinë atje dhe ta bëjë zëvendësimin e serbëve që kanë dhënë dorëheqje me policë shqiptarë.

“Tani kur policët serbë janë pensionuar nga forca policore, është krijuar një vakum sigurie dhe situata është edhe më e rrezikshme dhe e komplikuar, sepse shtrohet pyetja – kush do t’i kryejë këto aktivitete të rregullta, të përditshme policore”, ka theksuar Vuçeviq, raportojnë mediat serbe.

Ministri serb tha se shpreson që KFOR-i dhe EULEX-i ta marrin rolin e policëve të dorëhequr serbë.

“Do të ishte shumë e rrezikshme nëse Prishtina vendos të dërgojë pjesëtarë të policisë të nacionalitetit shqiptar, nga pjesët e tjera të Kosovës, në veri, për të hyrë në komunat me shumicë serbe”, ka thënë Vuçeviq.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e përshkallëzimit të situatës, duke ia hedhur fajin institucioneve të shtetit të Kosovës, siç bëjnë zakonisht në Beograd.

“Shpresoj se nuk do të ketë shkas për përshkallëzim, por nëse mund ta përjashtoja për ju – do të ishte e papërgjegjshme dhe joserioze. Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë mund të ndodhë tjetër, çfarë mund të mendojë Kurti”, tha ai.

Vuçeviq nuk mohoi kur u pyet nëse ushtria serbe është mbledhur në pikëkalimet kufitare, duke thënë se ajo “lëviz në mënyrë sovrane dhe të lirë në të gjithë territorin e vendit”.

/GazetaSinjali/