Komisioni parlamentar për Integrime sot e ka miratuar unanimisht draft-planin e punës për vitin 2020.
Ky komision i ka dërguar ftesë ministrit të Integrimit Evropian, Blerik Reka, që më 3 mars të këtij viti të diskutojnë bashkë me të për agjendën evropiane të Qeverisë Kurti.
Këtë e bëri të ditur kryetari i këtij komisioni, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.
Zemaj tha se komisioni që ai udhëheqë do të ketë aktivitete për njohjen e shtetit të Kosovës dhe do të punojë për shtyrjen përpara të procesit të integrimeve evropiane.
Kurse, anëtarja e këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra kritikoi qeverinë e re për mosprocedimin e asnjë projektligji për shqyrtim, deri tani.
“Është për keqardhje që asnjë projektligj i Qeverisë nuk e kemi në kuvend dhe besoj që nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Po ashtu kjo Qeveri nuk ka as plan qeverisës ende. Propozoj që të ftohet në Komision edhe ministri i Integrimeve Evropiane për planin e tij në integrimet evropiane”, tha ajo.
Por, anëtarja tjetër e Komisionit, Fitore Pacolli nga VV, kërkoi nga Qeveria Kurti të mos ngutet në lidhje me nxjerrjen e ligjeve të reja, pasi ‘ato duhet të jenë ligje të mira’.
Ajo tha se Komisioni për Integrime, përveç liberalizimit të vizave, duhet t’i qaset edhe procesit të njohjeve të reja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën./Gazeta Sinjali/