image Ministri në detyrë i Financave përmend një arsye përse vendi nuk duhet të ketë zgjedhje të reja

Kosovë

Zgjedhje/ Ministri në detyrë i Financave përmend një arsye përse vendi nuk duhet të ketë zgjedhje të reja

news image

Ministri në detyrë i sapo emëruar i Financave, Lulzim Rafuna, ka thënë se nuk duhet menduar opsioni i shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Rafuna deklaroi se partitë duhet të merren vesh për miratimin e buxhetit për vitin 2020, në të kundërtën do të ketë bllokadë financiare.

“Unë nuk kisha dashur që të kemi zgjedhje të reja por në variantin më ekstrem në qoftë se vinë zgjedhjet e reja si alternativë. Unë si Ministër i Financave nuk kisha këshilluar dhe kisha kërkuar që para se të mendohet të shkohet në zgjedhje të gjitha partitë politike që janë në prezent në kuvend të ulen dhe të dakordohen në mënyrë që të mos shkojmë në zgjedhje pa një buxhet të aprovuar që të mos ketë asnjë ngecje në pagesa, në qoftë se shkojmë në zgjedhje pavarësisht a shkon në mars apo në prill ne nuk do të kemi mundësi asnjë pagesë të vetme ta bëjmë”, ka thënë Rafuna për EO.

Rafuna thotë se ende nuk ka ndonjë plan konkret se si të vihet deri te miratimi i buxhetit, pasi që thotë se kjo situatë që po ndodh në Kosovë është për herën e parë dhe nuk ka ndonjë interpretim konkret nga kushtetuesja.

“Është një situatë që ndodhë për herë të parë në Kosovë, ne nuk kemi pasur në të kaluarën  situata kur kemi një qeveri në detyrë e cila është zgjedhë nga legjislatura e kaluar e kuvendit ndërsa tani kemi një kuvend të ri, mirëpo i cili ende nuk e ka zgjedhur qeverinë e re të legjislaturës së shtatë. E kemi atë problemin tjetër, apo interpretimet e ndryshme që na vinë si rezultat i mungesës së një ligji për qeverinë, ku në mënyrë të detajuar  do të kish me e përcaktuar se çfarë ka të drejtë qeveria në detyrë apo qeveria në dorëheqje dhe cilat janë kompetencat e sajë”.

Megjithatë ai thotë se si ministri kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se e kanë të gatshëm projektbuxhetin për ta dërguar për miratim.

Rafuna shpjegon se për muajin janar dhe shkurt kanë mundësi ligjore që të implementojnë buxhetin e vitit paraprak, ndërsa për muajin mars kanë dërguar kërkesë kryetarit të Kuvendit, pasi që duhet votimi në Kuvend i një dokumenti që lejon shfrytëzimin e buxhetit edhe për muajin mars. Pa krijimin e institucioneve,1 prilli do të jetë bllokadë totale, pasi që sipas ministrit në detyrë të Financave nuk do të jetë e mundur të ekzekutohet asnjë pagesë./ Gazeta Sinjali/